Zgjedhjet do të falsifikohen, opozita alarmon!

Parlamenti ka votuar sot vetëm me votat e shumicës parlamentare ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor dhe të Ligjit për Financimin e Partive Politike. Opozita shqiptare dhe ajo maqedonase bojkotoi votimin e dy akteve duke akuzuar pushtetin se kështu përgatiten për falsifikim të zgjedhjeve.

“PDSH prej fillimit kemi thënë se ky Kod Zgjedhor i propozuar kështu në mënyrë të njëanshme, pa dialog politik mes faktorëve relevant në Maqedoni, pa kompromis është i papranueshëm për ne. Ky kod zgjedhor pa pastrimin e listave zgjedhore, pa mbajtjen e regjistrimit të popullsisë nuk garanton mbajtje të zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike, prandaj për këtë arsye dhe për arsye tjetër që kemi me revidimin e kufijve të njësive zgjedhore, kemi njësinë zgjedhore numër 6 që tejkalon limitin prej 5 përqind plus votues, ndërsa nga ana tjetër njësinë 3 dhe 4 që kanë minus katër përqind, pa revidimin e kufijve të njësive zgjedhore dhe pa vërejtjet që i përmendëm më herët, themi se është i papranueshëm ky kod zgjedhor dhe vlerësojmë se është edhe një tendencë e koalicionit Qeverisës, kur bëhet fjalë për vjedhje ata janë unik, në këtë rast përgaditin vjedhje të votave, prandaj edhe ne nuk kemi marrë pjesë në procesin e votimit të Kodit Zgjedhor” – thotë Bekim Fazliu.

“Vet fakti se ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk i kanë përfshirë të gjitha rekomandimet dhe vërejtjet e OSBE dhe ODIHR, është e logjikshme që opozita nuk i pranon këto ndryshime të Kodit Zgjedhor. Nuk u zgjodhën shqetësimet në lidhje me cilësinë dhe saktësinë e listave votuese, në një popullatë prej 2 milionë e 50 mijë njerëz mbeten enigmë 230 mijë votues fiktiv dhe mbeten enigmë 140 mijë njerëz të cilët nuk kanë dokumentacionë gjegjësisht letërnjoftime. Me këtë Propozim Ligj nuk u zgjodh çështja e votuesve të tepërt në zonën elektorale numër 6 që janë mbi 30.000, që është më shumë se zona numër 3 dhe numër 4. Po të zgjidheshte ky problem atëherë do të kishim dy deputetë më shumë në zonën numër 5, nëse një pjesë e Zajazit dhe Osllomej kalon në këtë zonë” – tha Izet Zeqiri nga RDK.

Nga ana tjetër, deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja thekson se në sjelljen e Kodit Zgjedhor u përfshinë edhe amendamentet e opozitës.

“Na vjen keq që opozita nuk mori pjesë në votim sepse ky kod zgjedhor është pjesë e pakos së ligjeve të cilat burojnë nga i ashtuquajtur dialog në nivel të lartë në KE, ishte rezultat i një pune të përbashkët dhe duhet të rezultonte me votim të përbashkët. Sot e dini se debati përfundoi me propozim ligjin e plotësuar në të cilin u morën parasysh amendamentet e opozitës me qëllim të përmirësimit të cilësisë së Kodit zgjedhor për të garantuar një proces sa më korrekt, sa më demokratik, sa më objektiv zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme. Për fat të keq votimi i sotëm tregoi se nuk ka konsensus të mjaftueshëm në Parlament për këto ligje. Duhej edhe votimi të finalizohet edhe me vota të opozitës, për fat të keq ky rast nuk ishte, siç nuk ishte edhe vitin e kaluar kur u zgjodh kryetari i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve” – tha Mehmeti Devaja.

Këto ndryshime, të cilat kaluan paraprakisht filtrin e OSBE/ODIHR-it, ishin kërkesa të Komisionit Evropian në Dialogun e Nivelit të Lartë me BE-në, së bashku me ligjin për dekriminalizimin e shpifjes. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button