Rimodelim i murit të Berlinit!

“Isa Boletini vet ka ardhë
O man allti e man k’sul t’bardhë
Duhet pritë o si asht zakoni
Veç kujdes t’ma kontrolloni …”

Nën tingujt e sharkisë dhe kujtimet e së kaluarës , që Të rrënqethin mishtë, në kafenenë tonë politike po thehen heshtat rreth udhëtimit historik të “Agës” në Bruksel! Atje është thirrë për drekë! Me Daçiçin!

Po të mos ishte drekë, do të merrja guximin me e quajtë “darka e fshehtë”.  Por darkë nëpër diell nuk ka, e aq më tepër të fshehtë. Por mbase krejt kjo mund të spjegohet me mjegullën që e ka mbuluar skenën tonë politike. Politika jonë, si e dini, është krejtësisht ndërkombëtare. Pra,në politikën tonë (ndër)kombëtare ka më shumë mjegull se kurrë! Dëgjohen në prapaskenë edhe ulurima ujqish.

E mjegulla në Bruksel është krijuar këto ditë me modelin e famshëm të “dy gjermanive”.
Në Uashington, përkundrazi, është shumë kthjelltë! Sot do të meret  vesh se kush dhe kah!
Zonja Klinton nuk qëlloi në atdhe  në kohën e uraganit, prandaj edhe nuk pati rast me i pa  peshkaqenët virtual që notonin rrugëve të New Jersey-t . Ajo, në këtë kohë  në një vizitë të cilën (krye)ministri serb e quajti “lamtumirëse”, po fotografohej me peshkaqenët real të Ballkanit! Bashkë me baroneshën Ashton!

Sidoqoftë nga një drekë askush nuk humbë asgjë. E për një drekë të mirë nuk duhet shumë! Pak mish e pak lakëra mjaftojnë për një sarmë të vërtetë ballkanike. Vetëm të mos na servohet ndonjë specialitet, jofunksional, boshnjak se pastaj o do të bëhemi kaps, o do të na kapë barku! Si në Bosnjë!
E në këtë drekë pune,do të takohen dy miqtë aktualisht më të mirë në Ballkan,kryeministri i  Serbisë dhe ai i Kosovës! Kuptohet,për arsye krejtësisht  të qarta secili do të mohojë miqësinë!  Përndryshe mohimi i miqësisë është veqse edhe një element asociues lidhur me darkën e fshehtë !

Por pavarësisht mohimit në fakt kariera e tyre varet krejtësisht nga njëri tjetri. Ose do të merren vesh për diçka që do të kënaqë të dy palët ose do të kalojnë në histori. E dy palët e interesuara, nuk janë aq shumë Kosova e Serbia sa janë SHBA dhe Bashkimi Europian. Sa për këta “tonët”, kriza do të vazhdonte! Biznesi me krizën po u sillte extra përfitime . Kjo po i bënte ekstra kombëtare  edhe elitat e të dy vendve tona “sijameze”!  Po i quaj “Sijameze” sepse nuk po na ndajnë dot me një operacion të thjeshtë. Sikur Çekosllovakinë e dikurshme, për shembull! Për ne nevojitet operacion më i sofistikuar politik.

 Është e qartë se të jeshë në pushtet me çdo kusht, kjo po që i ka telashet e veta. Kur të gjithë rrëzojnë mure, ti i ndërton ato. E dreka po bëhet rreth murit. Pikrisht atij “Murit të Berlinit “ në Mitrovicë. Po kërkohet modeli! Po përmendet modeli i dy gjermanive!
Po e quajmë “Muri i Mitrovicës” e nuk po e quajmë urë, sepse ura ka kuptim tjetër. Ajo lidhë brigjet! E muri, ndanë!  Tash, dilema është a po e shembin, apo po e ndërtojnë, murin? Këtu në skenë del mjegulla dhe ulërimat e ujqërve mitik!

Tash po e kuptoj përse po e rrahin Albinin, pavarësisht se për çka po proteston. Sidomos kur kërkon vetvendosje! Albini më kot po i mëshon murit me kokë, por arsyen e vërtetë nuk po e gjen! Mos e lodh kryet kot , Albin! Për shkak të Murit,e kanë! Murit të Berlinit ! Modeli i Berlinit. Berlini i jonë edhe i tyre, njëkohësisht ! Pastaj duhet një koridor !
Por, më mirë le krejt e te shohim çka po bëhet! Çka po del nga dreka ?!

E, politika kanë thënë se është një femër e llojit të veçantë. Pas kësaj mund të ndodhë që përpara disa institucioneve të ndërrohen poqet elektrike dhe të vihen ato me ngjyrë të kuqe! Me u përshtatë!

E në Bruksel, “aga” do të shkojë me telefon në brez. Me dy telefona! Si “aga” ! Kur të e thirrin prej kabineti, sipas porosisë, në  mes të Brukselit do të jehojë në vend të ziles klasike të “Nokia”-s, kanga e madhe, e cila me tekstin e vet patriotik sqaron gjithçka lidhur me motivet e kësaj udhe historike.

Sidomos teksti: “ Më ka qu populli shqiptarë,o veç krajlive me ua thanë dy fjalë …”!  Nejse, këtu teksti bëhet  krejt i paqartë!  Edhe shumë mirë që bëhet i paqartë, sepse ruejna zot (krye)ministri serb do të mund të ndihej i ofenduar me përmbajtjen e tekstit të këngës dhe mundt të ndërpres bisedimet. (Krye)ministri i cili ende mendon se do të kishte fituar luftën me këtë “tonin” sikur të mos ishte përzier bashkësia ndërkombëtare. Këta po e përzinin një popull të tërë nga shtëpitë e veta vetëm e vetëm për me e mundë më lehtë “agën”! Jo se po bënin spastrim etnik! Ruejna zot!

Tipi ende në tripa të luftës ! Ende po mendon se mirë na e patën bërë. Ende ndihet krenarë! Se si e keni kuptuar të gjithë tashmë Serbia është superfuqi ! Krejt bota duhet me e lutë me u ulë me bisedue me ne! Shyqyr që po pranojnë ! Prandaj po provojnë modele sikur këpucët në butik. Me rëndësi  Serbisë me i ra taman. Për ne nuk ka lidhje se …. ne mundemi edhe dathë me ecë. Kjo qeveri edhe rrugët ka me na i ba me nxemje qëndrore!

U pa puna! Si gjermania-t , po na bëjnë! Model tjetër nuk na bjen për trupi! Sepse kryeministri ynë ka thënë jo! E kur ai të thotë jo, nga diplomacia përkthehet si aprovim.
 Por, a po na bëjnë si Gjermania perëndimore apo si ajo lindore? Pastaj, çka do të ndodhë në fund të procesit: a do të na bashkojnë prap apo do të na ndajnë? 
Por, ra kjo puna e dy telefonave dhe jam paksa më rehat me ndërgjegjjen qytetare e kombëtare ! Që kur dëgjova të  flitet se kryeministri në Bruksel ka shkuar me dy telefona, me “asishne” të modelit të vjetër që nuk i kapë asnjë sistem, më nuk kam asnjë dyshim! Nuk çarmatoset ai. Nuk i dorëzon të dytë  ai !

Njërin e ka dorëzuar te hymja, veç për me e hutue sigurimin!
Tjetrin nuk e dorëzon … ! Prap modele! Modeli i “agës Isë” !

Kështu brez pas brezi do të këndohet kanga:
     “Sa për rregulla i zbatova
      Telefonin s’e dorëzova
      Gjithë jetën o prej brezit s’e lëshova”

 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button