Çka ndodhi në Kosovë gjatë vitit 2019-të

Kosova edhe sivjet u ballafaqua me luftën e egër diplomatike të Serbisë në çnjohje, çështjen e mosliberalizimit të vizave si dhe presionin ndërkombëtar për shkak të taksës 100 për qind ndaj Serbisë që e trashëgoi nga viti 2018 dhe intensifikimin e ftesave nga Gjykata Speciale, transmeton KlanKosova.

Përtej këtyre zhvillimeve, edhe ideja e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, dorëheqja e Ramush Haradinajt që i hapi rrugë zgjedhjeve, mbajtja e tyre më 6 tetor dhe sidomos mosarritja e një marrëveshjeje koalicioni Vetëvendosje -LDK përcollën 2019-ën deri në ditën e fundit të saj.

Klankosova.tv ka përzgjedhur tre nga këto ngjarje që kanë përshkuar vitin 2019:

1. Ideja e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi

Ideja për korrigjim të kufijve si një mënyrë për të arritur paqe afatgjate midis dy vendeve të armiqësuara, iu plasua opinionit publik në verë të vitit 2018. Përmes kësaj ideje premtohej një garanci se Serbia do ta njohë shtetësinë e Kosovës, do t’i ndalë fushatat armiqësore ndaj saj dhe kështu ky shtet që shpalli Pavarësinë në vitin 2008, do të arrinte të anëtarësohej në BE, NATO dhe OKB.

Kjo ide që ishte e pranishme gjatë gjithë vitit 2019, e preokupoi një pjesë të madhe të opinionit – ku në njërën anë shihej si një rrugë e shkurtër drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe në anën tjetër konsiderohej si ide e rrezikshme që mund të hapte “Kutinë e Pandorës”.

Pavarësisht asaj se ekziston një gatishmëri e palës serbe për të negociuar rreth kësaj mundësie; përveç kundërshtarëve të brendshëm – Mbretëria e Bashkuar e posaçërisht Gjermania mbetet kundërshtarja kryesore e kësaj ideje duke e cilësuar si çështje shumë të rrezikshme. Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë pro vazhdimit të dialogut, por se në fund do ta shqyrtojnë nëse do ta mbështesin marrëveshjen e arritur midis dy vendeve.

2. Taksa 100 për qind ndaj Serbisë

Edhe pse tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe ishte vendosur në nëntor të vitit 2018 me një konsensus të brendshëm, hija e saj e ndoqi politikën kosovare gjatë gjithë vitit pasues. Përveç kundërshtimeve që erdhën nga shteti i ndëshkuar, vendosja e kësaj takse ngjalli reagime edhe tek partnerët më të afërt ndërkombëtarë.

Shumë prej tyre e cilësuan këtë veprim të qeverisë kosovare si të ngutshëm dhe të dëmshëm për dialogun Kosovë-Serbi në normalizim të marrëdhënieve; madje në një deklaratë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë të lëshuar me 25 janar, 2019, shkruan se “veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”.

Sidoqoftë, me gjithë presionin që u bë nga ndërkombëtarët Qeveria e Kosovës nuk u zmbraps duke përdorur justifikimin se do ta pezullonte taksën vetëm në këmbim të njohjes nga ana e Serbisë – kërkesë kjo e papranueshme për palën tjetër.

3. Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend

Gjatë kohës kur Qeveria po përballej me kritika të shumta për shkak të kokëfortësisë në lidhje me taksën, u krijua përshtypja se vetëm shkuarja e vendit në zgjedhje të reja do të mund ta zgjidhte ngërçin politik që ishte krijuar përbrenda Kosovës – e që kishte rezultuar në bllokimin e dialogut me Serbinë.

Në një amulli të tillë ku më së paku pritej ndonjë ndryshim, më 19 korrik të vitit 2019, gjatë një konference për media pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të ftesës që kishte marrë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Kjo dorëheqje e kreut të ekzekutivit hapi rrugën për zgjedhje të parakohshme për Kuvend që u zhvilluan me 6 tetor, ku fituese dolën dy partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – të cilat para fushatës zgjedhore kishin premtuar një koalicion bashkëqeverisës, por që dështuan ta formojnë.

Procesi zgjedhor shkoi mirë dhe u përshëndet nga shumë monitorues të jashtëm, por ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që u vonua me shpalljen e rezultateve përfundimtare për shkak të rinumërimeve dhe ardhjes së fletëvotimeve me vonesë nga diaspora. Derisa rinumërimi po vazhdonte, të dyja partitë fituese kishin deklaruar se cilado që del e para – qoftë edhe për një votë – do ta ketë të drejtën ta formojë qeverinë dhe se ekziston një gatishmëri përbrenda të dyja subjekteve për ta formuar së bashku qeverinë.

Mirëpo KQZ-ja i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve më 27 nëntor dhe partitë fituese mbeten të ndara sa i përket ndarjes së kulaçit.

Përveç dallimeve ideologjike, ndarja e ministrive dhe veçanërisht posti i presidentit, është bërë pengesë për të arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë ani pse i kanë harmonizuar programet për bashkëqeverisje.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit më 26 dhjetor, dhe kjo seancë i gjeti VV-në dhe LDK-në pa koalicion. Edhe pse asnjëherë nuk ishte diskutuar për një gjë të tillë, emri i Glauk Konjufcës nga Vetëvendosje u propozua për kryekuvendar dhe kjo u miratua me 75 vota të deputetëve të legjislaturës së shtatë. Ky hap i VV-së nuk u prit mirë nga LDK-ja e cila tha se pas këtij veprimi, dialogu për koalicion ka arritur në pikën zero.

Përkundër këtyre zhvillimeve në ditët e fundit të dhjetorit, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se përpjekjet për një koalicion me LDK do të vazhdojnë në muajin janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button