Thaçi: Koalicioni qeverisës do të ishte mirë të merret vesh për të gjitha, përfshirë edhe presidentin

Presidenti Hashim Thaçi tri herë e ftoi për diskutim për krijimin e institucioneve të vendit kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili asnjëherë nuk gjeti kohë që t’i përgjigjet. E ftesës së fundit, Kurti iu përgjigj duke dhënë datën 6 janar 2020 në ora 15.00, të cilën e ka pranuar Thaçi.

Këtë presidenti i vendit e bëri të ditur gjatë adresimit të tij për fundvit ku foli për çështje të rëndësishme nëpër të cilat kaloi vendi gjatë vitit që po e lëmë pas.

Thaçi e ka mirëpritur faktin se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka pranuar t’i përgjigjet ftesës së tij të fundit për takim.

E për mos shkuarjen e Kurtit në takimet e ftuara nga ai, kreu i shtetit të Kosovës tha se nuk duhet të sillen me hatrime, por me përgjegjësi institucionale në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“E mirëpres faktin se pas ftesës sime të tretë zoti Kurti ka pranuar dhe i është përgjigjur ftesës sime, kështu që ditën që është menduar nga zotëri Kurti në ora 15:00 do ta pres në zyrën time. Ne nuk jemi fëmijë dhe duhet të sillemi në mënyrë të përgjegjshme institucionale dhe në të mirë të shtetit dhe qytetarëve, prandaj nuk mundemi të sillemi as me hatër e as me sjellje që nuk përkojnë me përgjegjësitë tona kushtetuese dhe ligjore. Kështu që mirë se vjen në ditën që e ka propozuar”, tha Thaçi.

Ai tha se do të duartrokasë çdo marrëveshje për koalicion qeverisë ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, qoftë edhe nëse aty përfshihet posti i presidentit. Madje tha se nuk vuan që të jetë në Zyrën e presidentit dhe as nuk i mbetet nostalgji për asnjë zyrë institucionale edhe pse ka respekt të madh për to.

“Kemi kohë për të menduar mendoj se do të ishte me interes që me partnerët që mund të mund të bëjë koalicion të merren vesh për të gjitha senet dhe le ta përmbyllin këtë proces, sepse duhet 2/3 për t’u zgjedhur presidenti edhe kushdo që zgjidhet, unë vetëm mund t’i uroj suksese. Nuk vuaj të qëndroj në këtë zyrë, ndoshta përkundrazi do të jem edhe më i lirë në angazhimet e mia dhe jeta ime nuk është vetëm politikë. Mendoj se atë që kam pretenduar, edhe kam punuar dhe e kam realizuar, nuk më mbetet ndonjë nostalgji për asnjë zyrë institucionale me gjithë respektin e përulur për çdo zyrë të shtetit të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Lidhur me idenë e krijimit të një qeverie me pakica, presidenti i Kosovës tha se kjo çështje i takon Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese se me kë ajo dëshiron të arrijë marrëveshje, ndërsa bëri thirrje të respektohen afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.

“Mendoj se është një pjekur politike dhe një shëndet për demokracinë në Kosovë, ndërsa se partia fituese me cilën parti e ndërton qeverinë pakicës apo shumicës i mbetet atyre të vendosin dhe nuk i takon as presidentit, e askujt, as vendor e as ndërkombëtar, të tregojë preferenca politike se me cilën parti duhet të futet partia fituese apo me cilën nuk duhet të futet në qeveri, sepse i gjithë spektri politik ka një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe votuesi është i njëjtë për të gjithë dhe duhet trajtuar njëjtë. Partisë fituese i mbetet të dëshmohet”, tha ai.

Në adresimin e tij, presidenti Thaçi vitin 2019 e ka konsideruar sfidues, por që sipas tij Kosova ka shënuar progres në reforma demokratike, në zhvillim ekonomik, zbatim të rendit dhe ligjit, afrimit në mes komuniteteve si dhe forcimin e Ushtrisë së Kosovës.

Përkundër që u dhanë shumë data se në vitin 2019 do të ndodhë liberalizimi i vizave, qytetarët e Kosovës nuk e gëzuan këtë të drejtë, dhe një vendim për mos liberalizim, kreu i shtetit tonë e konsideron një gabim historik të Bashkimit Evropian për të cilën nuk ka asnjë justifikim.

Ndonëse tha se është pritur se do të ketë njohje të reja për Kosovën gjatë vitit që po e lëmë pas, presidenti Thaçi tha se ato nuk kanë ardhur pasi që janë ballafaquar me një fushatë agresive nga Serbia dhe Rusia kundër Kosovës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button