Mesiç vizitoi USHT-në

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sot qëndroi ish presidenti kroat, Stjepan Mesiç, i cili shoqërohej nga një grup i personaliteteve shqiptare të cilët në lëmi të ndryshme kanë pasur karrierë të suksesshme në Kroaci, siç është rasti me ish kampionin botëror në karate, Enver Idrizin.

Delegacioni kroat, u prit nga ana e udhëheqësve të USHT-së, në krye me rektorin, Prof. dr. Vullnet Ameti, së bashku edhe me prorektorët: Prof. dr. Arbër Çeliku, Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, Doc. dr. Fehari Ramadani, Prorektor për arsim, Prof. dr. Serafim Tomovski, Prorektor për financa dhe Sekretari i përgjithshëm, z. Adem Beadini.

Gjatë takimit, rektori Ameti, pasi i dëshiroi mirëseardhje, z. Mesiq e njoftoi me themelimin, rritën dhe zhvillimin e universitetit të vetëm publik në gjuhën shqipe, USHT-në. Ai, po ashtu mysafirin nga Kroacia e njoftoi edhe për aktivitetet që ndërmerren për përmirësimin e kushteve të punës si dhe ngritjen e mëtutjeshme të kualitetit të studimeve në universitet.

Nga ana e tij, ish presidenti kroat, në dy mandate, gjatë viteve 2000-2010, u shpreh i nderuar me mikpritjen që iu bë në USHT, duke theksuar se ai gjithmonë ka pasur konsideratë të lartë për shqiptarët, kudo që jetojnë dhe veprojnë ata, duke i vlerësuar ata si njerëz mjaftë punëtorë dhe të vyeshëm.

Ai, po ashtu, me këtë rast tha se me vëmendje të posaçme ka ndjekur situatën në USHT, që nga themelimi i këtij universiteti në vitin 1994.Në deklaratën për mjetet e informimin, pas takimit të realizuar në ambientet e Rektoratit të USHT-së, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, theksoi se prezenca e Ish-presidentit kroat Stjepan Mesiq, është një nder i madh që i bëhet Universitetit tonë.

“Z. Mesiq me punën dhe angazhimin e tij të deritashëm politik, intelektual dhe si burrështetas ka dhënë një kontribut të madh për Çështjen shqiptare, dhe sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë ai ka dëshmuar se  është lider i denjë dhe mik i madh i popullit shqiptar”, tha rektori Ameti, duke shtuar se stafi akademik, studentët dhe të punësuarit tjerë në USHT, sot ndjehemi më krenarë se kurrë, sepse vizita e ish-presidentit kroat Stjepan Mesiq në vendin tonë, dëshmon për bashkëpunimin në rritje mes popullit shqiptar dhe popullit kroat.

Urojmë që kjo vizitë të jetë një motiv më tepër për intensifikimin e bashkëpunimit mes Universitetit tonë me universitetet në Republikën e Kroacisë dhe thellimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e miqësisë mes dy popujve tanë të përgjithësi, tha në mes tjerash në fjalën e tij, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.Ish presidenti kroat, z. Stjepan Mesiq edhe në deklaratën për gazetarë, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në USHT, duke premtuar se do të vijë përsëri në pranverën e vitit të ardhshëm, kur edhe do të bëhet promovimi i librit të tij. /portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button