80-vjeçari ka 50 vite që bën Babagjyshin e vërtetë
Të gjithë fëmijët presin të marrin dhuratat për Krishtlindje e Vit të Ri, por jo të gjithë prindërit e kanë mundësinë t’ua ofrojnë.
Për këtë ka ndihmuar një 80-vjeçar në Florida të SHBA-ve, i cili ka 50 vite që bën Babagjyshin e vërtetë, duke prodhuar lodra druri për fëmijë të cilat i shpërndan falas.
“Kur shoqata Salvation Army shpërndan ushqime dhe rroba për njerëzit e varfër në këtë zonë, unë shpërndaj lodrat”, thotë Annis, i cili është gjithashtu veteran me ushtrinë amerikane.
Çdo vit ai prodhon rreth 300 lodra druri, të cilat i krijon vetë me materiale të mbledhura e të blera prej tij. Materialet i kushtojnë rreth 1000 dollarë në vit, por puna që bën me to nuk ka të paguar, sidomos pasi bëhet fjalë për të bërë fëmijët e lumtur.