PDSH refuzon dorën e Ali Ahmetit

PDSH nuk do të pranojë asnjë formë bashkëpunimi me BDI-në, nuk do të pranojë as dorën e zgjatur të Ali Ahmetit nga Zvicra për bashkëpunim në komunat ku shqiptarët janë nën 60%. 

“Deklaratat e Ali Ahmetit se do të ja jep dorën Menduh Thaçit, nuk është dora e miqësisë por dora e intrigave, dora e fajit që kërkon shfajësim, dora e cila don të amnistohet për dëmet që i ka shkaktuar shqiptarëve prej kur është shfaqur në skenën politike. Është dora e njëjtë në mesin e të gjithë duarve të deputetëve të BDI-së që votojnë për Nikolla Gruevskin, për Monstrën, për rrahjen e nxënësve shqiptar, për vrasjet e të rinjve shqiptar në Gostivar, për Shkupin 2014, për ligjin për branitellat. Prandaj deri në ditën kur Ali Ahmeti është në prehërin e Gruevskit, nuk do e ketë dorën e Menduh Thaçit” – tha deputet i PDSH-së Ziadin Sela.

Ai shtoi se mbështetja e PDSH-së për kandidatin e BDI-së në Kërçovë ka për qëllim që BDI-së mos ti lihet alibi për humbjen e Kërçovës.

“Sa  i përket Kërçovës, nuk ka kurrfarë bashkëpunimi  mes BDI-së dhe PDSH-së. Mbështetja që ne ia japim kandidatit të tyre është e detyruar, ne jemi të detyruar për arsye se Ali Ahmeti nuk e don Kërçovën, por ai është në kërkim të  fajtorëve dhe të alibisë për humbjen e Kërçovës” – deklaroi Sela duke cekur se arsyeja kryesore që PDSH aspak nuk mendon për bashkëpunim më BDI-në, është fakti se shqiptarët shohin shpëtim pikërisht në partinë e tyre.

I pyetur nëse PDSH do të merr pjesë në manifestimin e 100 vjetorit të pavarësisë më 25 nëntor në sallën “Boris Trajkovski”, Sela tha se Menduh Thaçi nuk ka marrë asnjë ftesë për këtë manifestim, megjithatë theksoi se nuk do të marrin pjesë në një manifestim të njëjtë me BDI-në.

 “Mos harroni se para disa ditëve BDI-ja festoi betejën e Kumanovës bashkë me Daçiq e Nikoliq. Imagjinoni me paratë  e shqiptarëve që janë mbi 30% në Maqedoni festohet në formë institucionale okupimi dhe masakrimi ndaj shqiptarëve në luftën e parë Ballkanike, ndërsa për 28 nëntorin Qeveria, do të thotë BDI-ja  ndan 0 denarë për manifestimin e ditës kombëtare të tyre. Kjo nuk quhet ndryshe por manifestim privat i BDI-së” – përfundoi Sela.

Pas mbështetjes të cilën e deklaroi lideri i PDSH-së Menduh Thaçi për kandidatin e BDI-së në Kërçovë, në publik u shpeshtuan zërat për një bashkëpunim të mundshëm mes këtyre dy partive në zgjedhjet e ardhshme lokale, por të dyja partitë shpejtuan të demantojnë këto zëra. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button