Siri, sulmi kamikaz, dhjetëra viktima

Disa dhjetëra persona mbetën të vrarë ditën e hënën në një krahinë qendrore të Sirisë, si rrjedhojë e një sulmi kamikaz. 

Ishte Televisioni Shtetëror Sirian ai që publikoi lajmin, duke fajësuar si zakonisht për këtë ngjarje “terroristët”.

Presidenti Bashar al-Assad refuzon që të njohë kryengritësit si të tillë dhe vazhdon t’i përcaktojë si militantë terroristë të armatosur, të sponsorizuar nga perëndimi dhe organizata si Al-Kaeda për të destabilizuar vendin me 24 milionë banorë.

Mësohet se sulmi ndodhi përpara një agjensie shtetëror të zhvillimit ekonomik në Zijara, pranë qytetit të Hamës, i dëmtuar rëndë gjatë luftës civile të nisur në mars 2011.

Burime të pakonfirmuara të opozitës lajmëruan se ky sulmi vendosi në shënjestër një kazermë ushtarake dhe se të paktën 50 ushtarë mbetën të vrarë.

Ndërkohë, në fundjavë, Këshilli Kombëtar Sirian, fronti që po zhvillon luftimet kundër qeverisë së Assad, pranoi nga Katari anëtarësime të reja, duke unifikuar veprimet e rreth 400 grupimeve të ndryshme opozitare.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i viktimave në Siri ka kaluar tashmë 35 mijë, por të dhëna të paverifikuara të opozitës flasin për 40-50 mijë të vrarë dhe një numër të ngjashëm të arrestuarish, për të cilët nuk dihet asgjë. Ndërkohë, rreth 1,5-2 milionë sirianë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si rrjedhojë e luftimeve. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button