Ndihma sociale para zgjedhjeve rritet për 110 denarë

Një muaj pasi t’i paguajë pensionet e zmadhuara në vitin 2013, Qeveria do ta rris edhe shumën e ndihmës sociale.

Rritja do të jetë pesë për qind dhe ka të bëjë me ndihmën sociale dhe ndihmën e vazhdueshme financiare për muajin mars të vitit 2013 të cilat do të paguhen në prill.

Rritja prej pesë për qind praktikisht do të thotë se ndihma do të rritet prej 110 denarë deri në 270 denarë, varësisht prej asaj nëse ndihmën sociale e shfrytëzojnë një person, apo nga ana tjetër, amvisëria, gjegjësisht një familje prej pesë e më shumë anëtarë.

Tani ndihma për një person arrin 2.223 denarë, ndërsa me rritjen në vitin 2013, ajo do të jetë më e lartë për 110 denarë dhe do të kushtojë 2.334 denarë. Pagesa më e lartë për ndihmë sociale që tani kushton 5.515 denarë, do të rritet për rreth 270 denarë.

Ministria e Punës dhe Punës Sociale  tashmë ka bërë ndryshime në Ligjin për mbrojtje sociale, ku janë definuar shumat e reja të ndihmës sociale. Propozim-ligji është dorëzuar në Qeveri, e cila me procedurë të shkurtër duhet ta ridërgojë ligjin deri në Kuvend.

“Në kushte të krizës botërore, edhe tek shfrytëzuesit social do të bëjmë rritje të ndihmës. Ndoshta nuk është ndonjë rritje e madhe, por është e rëndësishme për shfrytëzuesit. Përfundimisht, çdo mbështetje nga shteti për këtë kategori është e mirëseardhur dhe ne do të vazhdojmë si Qeveri me përgjegjësi t’u qasemi përmirësimit të gjendjes së këtyre qytetarëve. Edhe më tej do të orvatemi ta përmirësojmë situatën e tyre”, thekson ministri i Punës dhe Politikës Sociale Spiro Ristovski për të përditshmen ‘Vest”.

Në Maqedoni, ndihmë sociale shfrytëzojnë rreth 39.000 amvisëri.

Javën e kaluar, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale paralajmëroi se do t’i rris pensionet për 550 denarë, një muaj para zgjedhjeve lokale në vitin 2013. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button