Pendarovski: para nesh kemi një proces të gjatë dhe të vështirë që do të zgjasë me vite

Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në hapjen e konferencës “Mundësi për integrim rajonal të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian” në Shkup tha se me negociata të filluara në pranverë të vitit të ardhshëm, para nesh është një proces i gjatë dhe i vështirë i adaptimit që do të zgjasë, me optimizëm prej pesë deri në shtatë vjet, shkruan Portalb.mk.

“Dobësitë në Bashkimin Evropian, nuk e ulin përgjegjësinë tonë për mënyrën në të cilën do të zhvillohet integrimi evropian i vendit tonë. Pritja e metodologjisë së re për negociatat për anëtarësim dhe ndarja finale e datës për fillimin e negociatave gjatë pranverës së vitit 2020, nuk guxojnë të jenë arsye për shpejtësinë dhe cilësinë e reformave në vend për të cilat ne e kemi përgjegjësinë primare.” tha ai.

Deri atëherë, shtoi Pendarovski, që të mbijetojmë si shtet dhe shoqëri demokratike, do të duhet të ballafaqohemi me problemet për të cilat qindra mijëra qytetarë tanë tashmë e lëshuan vendin.

“Problemi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë nuk janë vetëm sfidë për prokurorinë dhe gjyqësorin, por janë kusht themelor për ruajtjen e rendit publik. Tempoja relativisht e ngadalshme e zhvillimit ekonomik është pengesë kyçe për hapjen e vendeve të punës të paguara mirë, të cilat janë shpresa e vetme për ngadalësimin e rrjedhave emigruese. Përfundimisht, dobësitë në sistemin tonë arsimor, në shëndetësinë publike dhe mbrojtjen e mjedisit njerëzor gjithnjë e më shumë po bëhen shkaqe për pakënaqësinë te qytetarët dhe motiv për lëshimin e shtetit, por edhe nga ata të cilët kanë status relativisht të mirë social, por janë të pakënaqur nga funksionimi i sistemit”, theksoi Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button