VV-ja dhe LDK-ja u morën vesh, kështu u nda kulaçi i Qeveris Kurti
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë dakorduar që të bashkëqeverisin së bashku.
Sipas burimeve të Klan Kosovës, kryetari i Vetëvendosjes dhe njëherit kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa janë marrë vesh që në parim ta bëjnë qeverinë e ardhshme të Kosovës me formulën e ndarjes së pushtetit gjysmë për gjysmë.
Sipas kësaj formule, në qeverinë e ardhshme me Albin Kurtin kryeministër që do t’i ketë 12 ministri, pesë ministri do t’i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe pesë ministri do t’i takojnë LDK-së, ndërkohë që dy ministri do të jenë të rezervuara për minoritetet – Ministria për Komunitete dhe Kthim si dhe Ministria e Kulturës.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thirrur një mbledhje urgjente të Kryesisë së partisë së tij nesër nga ora 11:00.
Klan Kosova merr vesh që mbledhja është thirrur për të diskutuar rreth arritjes së koalicionit VV-LDK. Kjo mbledhje është ftuar pasi LDK thotë se është një parti institucionaliste dhe i respekton organet e partisë.
Kreu i LDK-së pritet që në detaje t’u tregojë se çka ka arritur me kryetarin e VV-së Albin Kurtin. Pas kësaj pritet të mblidhet edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së si organi kryesor që i jep vulën kësaj.
Momentalisht është duke u zhvilluar takimi mes Kurtit dhe Mustafës në Kuvend.