Në Veleshtë do të zbulohen përmendoret e Naser Hanit dhe Gëzim Kalecit

Fshati Veleshtë i Strugës, me rastin e shënimit të javës së festave të nëntori, ka përgatitur një sërë aktivitetesh, ndërsa në ditën më të rëndësishme historike ka vendosur që të “ringjallë” dy veleshtarët të cilët kanë dhënë kontribut të madh për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, Naser Hanin dhe Gëzim Kalecin, bustet e të cilëve do të vendosen në qendër të fshatit.

Aktivitetet do të fillojmë më 27 nëntor, kur në Sallën e sportit në Veleshtë do të mbahet finalja e turnirit tradicional në futboll dhe atë prej orës 17:00 ndërsa në ora 19 do të fillojë programi kulturo artistik i cili do të shfaqet nga Shoqëria e Këngëve dhe Valleve Shpresa nga fshati Veleshtë.

Ndërsa dita e 28 nëntorit, pra e 100 vjetorit të pavarësisë dhe flamurit shqiptar,   do të fillojë me maratonën që do të mbahet nga qendra e fshatit dhe deri tek shkolla. Më pas do të bëhet shpalosja e pllakës përkujtimore të shkollës së parë shqipe në Veleshtë e cila është hapur në vitin 1941,  dhe prej tek shkolla nëpër fshat do të vazhdohet me një defile të shoqërisë, klubeve sportive të futbollit, karatesë dhe të tjera.

Rrjedha e aktiviteteve do të vazhdojë me inaugurimin e Sheshit të Veleshtës, ngritja e Flamurit shqiptar në qendër, shpalosja e pllakës përkujtimore të dëshmorëve Veleshtarë të rënë  në Luftën e Petrinjës dhe më pas do të bëhet zbulimi i dy busteve të Naser Hanit dhe Gezim Kalecit.

Në aktivitetet për shënimin e pavarësisë në Veleshtë pritet që të marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe përfaqësues të më shumë institucioneve komunale të Strugës por edhe nga Ohri.

Lajme të ngjashme

Back to top button