Bilanci në Tiranë, Veliaj: 53 pallate e 390 shtëpi të pabanueshme

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka bërë një panoramë të pasojave që la tërmeti në kryeqytet.

Në mbledhjen e këshillit bashkiak, Veliaj u shpreh se në Tiranë 53 Pallate dhe 390 shtëpi janë shpallur të pabanueshme. Kryebashkiaku shtoi se janë evakuuar 1649 familje nga të cilat 1003, që kanë dalë nga pallatet e dëmtuara, transmeton Gazeta Express.

“Deri tani kemi inspektuar rreth 460 pallate dhe mbi 2800 shtëpi dhe po vijohet përditë me inspektimet e tjera. Nga këto inspektime na rezulton, se kemi të pabanueshme 53 Pallate dhe 390 shtëpi. 370 çadra janë shpërndarë total pranë banesave të familjeve (nuk kanë lëvizur nëpër kampe). 1649 familje janë evakuuar nga të cilat 1003 nga pallatet e dëmtuara. Në qendrat sociale janë sistemuar  488 njerëz. Të gjitha qendrat sociale dhe të strehimit janë pajisur me ndihma sipas nevojave dhe kërkesave gjatë të gjithë kohës. Dëshiroj t’ju informoj se ndërkohë janë inspektuar të gjitha çerdhet dhe kopshtet.”-tha kryebashkiaku.

Më tutje kreu i bashkisë u shpreh se banorëve të prekur do t’u paguhet qiraja e shtëpisë me vlerën e tregut, një vendim i marrë nga këshilli bashkiak.

“Vendimi i dytë është ndoshta vendimi më i rëndësishëm që marrim sot: Për pagesën e plotë të qirasë sipas vlerës së tregut për familjet që janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Nuk është vetëm një vendim financiar, është edhe një vendim për thjeshtimin e procedurave se si këto familje duke nisur nga nesër do aplikojnë për të marrë 100% qira, sipas vlerës të tregut”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai sqaroi se përfitojnë pagesën e plotë ato familje që i janë dëmtuar shtëpitë dhe që nga akt konstatimet e hartuara nga Instituti i Ndërtimit është arritur në konkluzionin për evakuimin e tyre nga këto banesa.

Vlera e pagesës sipas vlerës së qirasë së tregut të lirë sipas strukturave përkatëse të apartamenteve, të jetë si më poshtë:

a.Qiraja për strukturën e apartamentit për 1+1, 18 mijë lekë.
b.Qiraja për strukturën e apartamentit për 2+1, 220 mijë lekë.
c.Qiraja për strukturën e apartamentit për 3+1, 270 mijë lekë.

Ndërkohë që sipas vendimit, familjet që aplikojnë për përfitimin e pagesës së qirasë sipas këtij vendimi duhet të depozitojnë pranë njësisë administrative ku kanë vendbanimin e tyre, dokumentacionin si më poshtë:

a.Formularin e aplikimit, i cili gjendet pranë njësisë administrative, sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi;
b. Akt konstatimi i Institutit të Ndërtimit;
c. Certifikatë familjare;
d. Numrin e llogarisë bankare, ku do të derdhet pagesa e qirasë.
Aplikimi dhe dokumentacioni, dorëzohet pranë njësisë administrative përkatëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button