Inati politik mbi interesat kombëtare

Beteja për pushtet ka larguar në pole të ndryshme partitë shqiptare në vend. Aq sa është zbehur dialogu, ndërsa bashkëpunim thuaj se nuk ka. Duhej të vijë një lider i opozitës nga Shqipëria që Menduh Thaçi e Ali Ahmeti të shtrijnë dorën njëri tjetrit pas gjatë kohësh. Analistët e komentojnë këtë mungesë bashkëpunimi si pasojë e luftës politike që zhvillohet në Maqedoni, sidomos në bllokun politik shqiptar, e të cilën shpesh nuk arrin ta tejkalojnë as interesat mbipartiake, kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.

“Lufta politike nuk duhet të shndërrohet në luftë interpersonale kur bëhet fjalë për debatin publik apo në bërjen e politikës. Debati është motor i progresit në një shoqëri dhe si i tillë duhet kultivuar dhe kuptuar si dobiprurës. Megjithatë, lufta politike në Maqedoni ndonjëherë merr përmasa të një lufte gladiatorësh, të një lufte për jetë a vdekje. Kjo sidomos ka ndodhur në kampin politik shqiptar, kurse tani është e theksuar te blloku maqedonas” – thotë Xhelal Neziri, analist politik.

Sipas tij, partitë shqiptare duhet të vendosin vijat e kuqe lidhur me interesat shtetërore dhe kombëtare, për të cilat duhet tejkaluar inatet partiake dhe politikën ditore.

“Komunikimi midis partive politike duhet të jetë i shëndoshë dhe i vazhdueshëm. Nuk duhet të lejohet garë destruktive midis partive politike, në rastin konkret shqiptare, por duhet të vendoset një bazament për një garë të shëndoshë politike. Partitë shqiptare duhet të kenë vijat e kuqe lidhur me intereset shtetërore, siç është integrimi i vendit në BE dhe NATO, si dhe në aspektin kombëtar, që ndërlidhen me statusin e shqiptarëve në Maqedoni. Për t’i vendosur dhe mbajtur këto vija të kuqe natyrisht se duhet të vendoset një parktikë e komunikimit të shëndoshë midis partive” – tha Neziri.

Analisti tjetër Mersel Bilalli mendon se mungesa e bashkëpunimit dhe komunikimit vjen si pasojë e mungesës së kuadrove kualitativ në politikën shqiptare në Maqedoni, pasi sipas tij, shumica kanë për qëllim vetëm pasurimin personal nëpërmjet bërjes politikë.

“Është një realitet i përgjithshëm në jetën politike, sepse nuk kemi elitë të ndërtuar kompletuar me të gjitha tiparet që nënkuptohen në shtetet e civilizuara. Duhet elitat politike të dalin nga dy komponente, edhe nga baza e fuqishme materiale, pra biznesit, edhe intelektuale. Ne kemi pjesëtar të elitës ose intelektualisht të ngritur dhe materialisht të vobekët, ose materialisht të ngritur dhe intelektualisht të vobekët. Kështu që këtu nuk mund të gjesh ideale. Në qoftë se nuk kemi ideal nuk mund të paramendojmë një hap të tillë. Do të duhet kohë kjo të arrihet. Persona të cilët brenda natës kërkojnë të shfrytëzojnë politikën për tu promovuar në bizneset e zeza, nuk mund të arrijnë një gjë të tillë” – tha Bilalli.

Në Maqedoni kanë munguar përpjekjet që të ulen në tavolinë liderët politik shqiptar, aq më pak ka pasur ndonjë iniciativë nga vetë partitë politike. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button