Gostivar, shpaloset busti i dëshmorit të popullit “Milaim Dauti”

Në kuadër të manifestimeve kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë, që mbahen nën patronazhin e komunës së Gostivarit, dje në Ditën e Alfabetit shqip, në fshatin Dobërdoll të Komunës së Vrapçishtit, me një ceremoni u shpalos busti i dëshmorit të flamurit Milaim Dauti.

Bustin, vepër e skulptorit gostivaras Ylber Zylfiqari, e shpalosën kryetari i komunës së Gostivarit Rufi Osmani dhe vëllai i dëshmorit Satki Shabani.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari Rufi Osmani falënderoi kryetarin e komunës së Vrapçishtit Bajram Kadrija, këshilltarët komunalë të Gostivarit dhe Vrapçishtit, këshillin iniciativ dhe banorët e fshatit Dobërdoll për bashkëpunimin e sinqertë dhe mbarëvajtjen e aktivitete për realizimin e një obligimi moral ndaj një heroi të kombit.

“Sot në këtë përvjetor të veçantë përurojmë bustin e heroit i cili ra si pre e dhunës makabre të pushtetit sllav i cili për fat të keq ka qenë i tillë edhe në komunizëm edhe në ish Jugosllavi dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë pjesërisht i tillë”, theksoi kryetari. “ Unë jam sot këtu para jush për t’ju rikujtuar se këto janë ngjarje dhe ndodhi që na takojnë të gjithë neve dhe ne kemi si obligim që në këto ndodhi të jemi bashkë, të shtrijmë dorën e pajtimit të japim mesazhin se pas 100 vjetësh, shqiptarët krahas asaj që kanë një shtet në NATO, kanë shtetin e dytë të pavarur ndaj ky rrugëtim kombëtar dhe historik nënkupton që ne të vazhdojmë përpjekje të jashtëzakonshme që brezave të ardhshëm pas nesh t’ju lëmë më pak brenga, t’ju hapim më shumë perspektivë”, nënvizoi ai.

Ngjarjen e përshëndeti edhe kryetari i komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija. “Falënderoj kryetarin e komunës ë Gostivarit për sponzorimin, këshillin iniciativ për organizimin, kolegun tim skulptorin Ylber Zylfiqari për këtë vepër të shkëlqyeshme. Çdo shqiptar e ka për borxh të bëjë diçka për dëshmorët dhe ata e kanë vendin e veçantë sepse ata i zgjedh Zoti”, theksoi Kadrija./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button