Të rinjtë po largohen nga vendi, kërkohet miratim i Ligjit për të rinj

Sot në konferencën “Fuqizimi i të rinjve për pjesëmarrje aktive në procesin e vendimmarrjes” në Shkup, të organizuar nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë, u tha se pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje është shumë e rëndësishme dhe se duhet sa më shpejtë të miratohet Ligji i të rinjve. Të njëjtën porosi e dha edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sipas të cilit, pa krijimin e mekanizmave për pjesëmarrjen e të rinjve në procesin e vendimmarrjes dhe inkurajimin e tyre për pjesëmarrje aktive, nuk mund të presim përparim dhe prosperitet, dhe kjo është një nevojë urgjente për çdo shtet, transmeton Portalb.mk.

Sipas folësve në konferencë, pjesëmarrja e të rinjve në proceset vendimmarrëse është domosdoshmëri edhe për faktin se shumë nga to po largohen nga vendi për një jetë më të mirë. Sipas tyre, kyçja në vendimmarrje do t’u mundësonte atyre që vetë të jenë prezent dhe të kenë në ndikim në zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me to.

Edhe presidenti Pendarovski thotë se përveç miratimit të kornizës ligjore që do të mundësojë pjesëmarrjen e të rinjve në procesin e vendimmarrjes, ne si shoqëri duhet të përballemi edhe me një tjetër problem më të madh, që është apatia dhe mosinteresimi i të rinjve në zhvillimet shoqërore dhe proceset politike.

“Në shumicën e tyre ka zhgënjim dhe pasivitet. Një përqindje e madhe e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendlindjes dhe planet dhe vizioni i tyre nuk kanë lidhje me atdheun e tyre. Në kohë globalizimi dhe lëvizje të shtuar, edhe vendet më të pasura vështirë se mund t’i mbajnë në vend të rinjtë që janë në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, punës dhe përmirësimit dhe kanë nevojë për sfida të reja. Sidoqoftë, neve kjo nuk na shfajëson detyrimin për të siguruar kushte dhe perspektiva shumë më të mira për rininë tonë. Këtu është dilema: pa dëgjuar zërin e tyre, pa pjesëmarrjen e tyre cilësore, pa politika të suksesshme rinore do të ishte e pamundur”, tha Pendarovski.

Darko Kaevski nga Agjencia për Rini dhe Sport njoftoi se ligji për pjesëmarrje të të rinjve është në fazën finale, në procedurë qeveritare dhe për një kohë të shkurtë pritet që të sillet ligji.

“Gati një vit e gjashtë muaj ligji është në procedurë miratimi, jo sepse po punohet ngadalë por sepse e gjithë procedura zhvillohet me konsultimin e të gjithë palëve. Ka pasur tre grupe punuese për përpilimin e ligjit. Për sa kohë nuk arrihej konsensus, prapë punohej dhe diskutohej për të ardhur deri te zgjidhja ideale. Ky ligj ju garanton të rinjve, përmes zgjidhje sistemore të jenë të kyçur në të gjithë proceset vendimmarrëse që janë në interes të të rinjve”, theksoi Kaevski.

Edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, theksoi se të rinjtë duhet të përfshihen në vendimet që i shqetësojnë ata dhe se përqendrimi i vazhdueshëm në to dhe nevojat e tyre është i nevojshëm. Ai vuri në dukje se të pakënaqurit largohen, që do të thotë, siç tha Ademi, është dëm i pariparueshëm për shtetin që po humbet burime të mëdha njerëzore.

Projekti synon të hartojë problemet dhe sfidat e pjesëmarrjes së të rinjve në Maqedoninë e Veriut, të ofrojë një përmbledhje krahasuese të përfshirjes së të rinjve në Bullgari si një vend i integruar në strukturat Euro-Atlantike, dhe të adresojë temat kryesore përmes diskutimeve, analizave krahasuese dhe rekomandimeve. Qëllimi afatgjatë i këtij veprimi është të nxisë pjesëmarrje më të madhe të të rinjve në proceset e vendimmarrjes, duke zhvilluar kapacitete për angazhim aktiv të të rinjve dhe duke inkurajuar bashkëpunim më të madh. Për më tepër, aksioni ka për qëllim përmirësimin e të kuptuarit të NATO-s dhe BE-së dhe ndërtimin e një qëndrimi pozitiv drejt promovimit të vlerave euro-atlantike.

LEXO: Kuvendi i Maqedonisë, deri në fund të 2019-s do të miratohet ligji i të rinjve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button