Xhamitë, aty ku populli shpreh bujarinë

Në Republikën e Maqedonisë besimtarët e konfesionit islam, numrin më të madh të të cilit e përbëjnë shqiptarët, vazhdojnë të kontribuojnë financiarisht për xhamitë dhe faltoret e tyre, për mirëmbajtjen madje edhe për ndërtimin e xhamive. Shkupi është një qytet me histori te bujshme fetare, i cili bashkë me rrethinë ka diku rreth 120 xhami dhe të gjitha mirëmbahen nga populli.

Bashkësia Islame e Maqedonisë nuk ka mundësi të ndihmojë xhamitë në këtë aspekt, pasiqë edhe ata nuk kanë përkrahje financiare nga shteti.
Zëdhënësi i Bashkësisë Fetare Islame, Abaz Islami, për Portalb tha se Bashkësia Islame e Maqedonisë nuk merr grante nga shteti. 

“Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni nuk ka përkrahje të ndarjes së mjeteve nga ana e shtetit dhe nuk ka pasur asnjëherë. Të gjitha aktivitetet i kemi kryer me vetë kontribut dhe me bashkëpunim me qendrat islamike në rajon dhe diasporë, ndërkaç Kisha Ortodokse Maqedonise direkt apo indirekt ndihmohet nga shteti”, u shpreh zëdhënësi i BFI-së.

Për vështirësitë me të cilat përballen imamët dhe xhamitë në përgjithësi u shpreh për Portalb edhe imami i Xhamisë “Haxhi Mehdiu”, Bexhet Dernjani i cili mes tjerash tha se besimtarët mysliman ndihen të diskriminuar në këtë rast përball besimtarëve krishterë ortodoks.

“Nevojat elementare për mirëmbajtjen e xhamisë si rryma, uji, higjiena e kështu me radhë mundësohen nga besimtarët të cilët falen në xhaminë tonë, tjera të ardhura nuk ka xhamia jonë e as xhamitë tjera. Nga Bashkësia Islame nuk kemi ndihmë financiare, kurse e kundërta ndodh me kishën ortodokse të cilët zyrtarisht apo jo zyrtarisht marrin parcela si dhuratë, ndërsa bashkësisë islame nuk i jepen as tokat e veta”, tha Dernjani.

Ai më tej shtoi se nga BFI-ja marrin rrogë diku rreth 6.000 deri në 8.000 denarë, të cilat sigurohen nga anëtarësia e popullatës. Në këtë shumë nuk paguhet as sigurimi shëndetësor as ai pensional. 

Besimtarët myslimanë përkrah problemeve financiare që kanë mundohen të ruajnë dhe të mbrojnë identitetin e tyre fetar në këtë vend. Ata u ndihmojnë xhamive me mjete financiare dhe mjete tjera aq sa kanë mundësi. /Portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button