Zgjedhjet 2013, taktizime me kandidaturat

Disa muaj deri në zgjedhjet e ardhshme lokale partitë shqiptare akoma taktizojnë me shpalljen e emrave kandidatë në pjesën më të madhe të komunave të cilat pritet të fitohen nga kandidat shqiptar.

PDSH e Menduh Thaçit është e para e cila ka konfirmuar kandidatët e saj në disa komuna, duke përfshirë edhe disa prej qyteteve kyçe si Tetova e Struga. BDI nga ana tjetër, siç thonë nga kjo parti akoma është në fazën e shqyrtimit të emrave të mundshëm dhe vlerësimin e tyre në terren. Zëdhënësi i kësaj partie Bujar Osmani tha për Portalb se konfirmimi i kandidatëve do të fillojë në dhjetor. Edhe RDK  e Rufi Osmanit po taktizon me emrat, duke shpallur deri më tani vetëm emrin e Gajur Kabës si kandidat për kryetar të Komunës së Strugës.

Sadi Bexheti do të jetë kandidat i PDSH-së për qytetin e Tetovës. Kryetari aktual i kësaj komune ka marrë besimin nga organet e partisë që të kandidojë edhe për një mandat tjetër. Si kundërkandidat nga BDI me më së shumti gjasa është zëvendës kryeministrja aktuale për eurointegrime Teuta Arifi. Emri i Izet Zeqirit u përfol nëpër shumë media si kandidat i mundshëm i RDK-së në Tetovë, megjithatë nga kjo parti thonë se tani për tani nuk mendojnë për kandidaturat.

Në qytetin e Strugës janë shpallur kandidaturat nga PDSH dhe RDK. Deputeti aktual i PDSH-së Ziadin Sela do të tenton që për herë të parë ky qytet të fitohet nga PDSH. Sipas të gjitha gjasave, ai do të përballet me kryetarin aktual të kësaj komune nga radhët e BDI-së, Ramiz Merko, i cili për Portalb konfirmoi se ka kërkuar nga Ahmeti që të kandidohet në këtë komunë. Ndërkohë që Gajur Kaba nga RDK do të tenton të “prish” pazarin e dy partive më të mëdha. Beteja në mes kandidatëve shqiptarë në Strugë sipas të gjitha gjasave do të zhvillohet, ku do të vendoset se cili nga kandidatët do të përballet me kandidatin maqedonas në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

Për qytetin e Gostivarit akoma po taktizohet me kandidaturat nga dy partitë të cilat kanë më shumë gjasa për të fituar, RDK dhe BDI. Kryetari i RDK-së dhe i Komunës së Gostivarit ka theksuar se po pret kandidaturën e BDI-së për të vendosur nëse përsëri do të kandidohet ai vetë për këtë komunë, apo do të nxjerr ndonjë bashkpartiak tjetër. BDI jozyrtarisht akoma nuk ka ndonjë “favorit” për kandidat në këtë komunë, edhe pse përfliten emrat e Ministrit për Vetëadministrim lokal Nevzat Bejta dhe koordinatorit të grupit parlamentar Talat Xhaferi. PDSH në këtë komunë ka kandiduar Mijat Sadikun, votat e të cilit pritet të jenë faktor për rrethin e dytë.

Akoma asnjë emër zyrtar për komunat me shumicë shqiptare në Shkup. BDI në Çair me shumë mundësi nuk do të eksperimenton me kandidat tjetër por do të del përsëri me kryetarin aktual Izet Mexhitin. PDSH kishte paralajmëruar si kandidat Idriz Oranën, ndërsa RDK do të kandidojë kryetarin e degës së Çairit Gykten Hazirin ose ndonjë kandidat deri tani jopartiak. Paqartësitë më të mëdha për të tre partitë mbeten në Komunën e Sarajit, për ku disa emra janë në kombinim te të gjitha partitë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button