Premiera e shfaqjes “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” sonte në Shkup

Premiera e poemës dramatike, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, punuar si projekt i pavarur teatror enkas për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festës së Flamurit Kombëtar, nga Teatri Shqiptar në Amerikë shfaqet sonte në Shkup.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu”  është pjesë e autorit Xhevat Limani, i cili pos tekstit, e ka bërë edhe regjinë në bashkëpunim me Michael Tylo dhe paraqitet në rolin e Skënderbeut, ndërsa, soprano Era Hoxha, do të paraqitet në rolin e Donikës, me arie të kompozuara enkas për rolin e Donikës, nga kompozitori Aleksandër Peçi, me libreto të Xhevat Limanit,  ndërsa si narratorë paraqitet Merita Çoçoli.

Pas shfaqjes në Tiranë (më 16 nëntor) dhe në Prishtinë (më 18 dhe 19 nëntor), sot shfaqja “Skënderbeu” do të paraqitet edhe para publikut të Shkupit, në Teatrin Kombëtar Shqiptar, me fillim në orën 20.00.

Premiera e shfaqjes “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në vazhdim do të shfaqet edhe në Dibër (22 nëntor) dhe në Strugë (24 nëntor)./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button