Komisionari Hahn bisedon me Kurtin për dialogun dhe reformat
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë është çështje thelbësore për perspektivën evropiane të Kosovës dhe tërë rajonit, transmeton REL.
“Unë pres që qeveria e re të vendosë këto objektiva në qendër të programit të saj”, tha Hahn në rrjetin social Facebook, pas një takimi që kishte në Bruksel, me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherësh kandidat kryesor për mandatar të qeverisë së ardhshme, Albin Kurti.
Komisionari Hahn tha se me Kurtin kanë pasur një shkëmbim interesant të pikëpamjeve, dhe se janë pajtuar që reformat evropiane janë rruga e vetme për të siguruar perspektivë për njerëzit e Kosovës, në veçanti të rinjtë.
Bashkimi Evropian si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke shpresuar se me formimin e qeverisë së re të Kosovës, do të mundësohet vazhdimi i dialogut përmes heqjes së taksës ndaj mallrave serbe, e cila ka qenë arsye e ndërprerjes së tij.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Kurti ka thënë se “jemi të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011”.