Studentët: sistemi i Bolonjës na la pa punë!

Studentët e universiteteve private dhe shtetërore të Maqedonisë të cilët sipas Sistemit të Bologjnës mbarojnë vetëm studimet tre vjeçare duke fituar 180 kredi shprehin shqetësimin e tyre ngase shumica e punëdhënësve preferojnë të diplomuar me 240 kredi. Kjo do të thotë se për tu punësuar, janë të detyruar të vazhdojnë së paku edhe një cikël të studimeve qoftë ai +1 gjegjësisht specializim ku marrin 60 kredi të tjera apo +2 gjegjësisht magjistraturë ku marrin 140 kredi tjera. Ato ankohen se sistemi në një farë mënyrë i detyron të specializojnë ose të magjistrojnë ndërsa kjo kushton shtrenjtë kurse cilësia nuk është e garantuar.

Studentët që janë në specializim për Portalb thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër sepse duan të punësohen, ndërkaq askush si pyet për atë se sa para harxhojnë.

“Në qoftë se e mbarojmë me sukses, do fitojmë 60 kredi të reja dhe bëhemi të barabartë me ata të cilët kanë studiuar katër vite. Kështu kemi më shumë mundësi të punësohemi mirëpo kjo nuk është e drejtë sepse thjeshtë dikush nuk dëshiron të vazhdojë specializimin apo magjistraturën”, tha Valbona Ramuka nga Shkupi.

 “Nuk besoj se fitojmë njohuri të reja por përforcohen ato parapraket, mirëpo ajo që e kanë  me rëndësi studentët është rritja e numrit të kredive sepse ka shumë raste kur nuk kemi të drejtë aplikimi për punë sepse nuk i kemi kreditë e duhura ”-tha Besir Dërnjani, po ashtu nga Shkupi. 

Ka studentë të cilët nuk kanë vazhduar specializimin por magjistraturën. Njëri prej tyre, Emir Zeqiri tha se: 

“Fillova me magjistraturë sepse me studimet 3+1 nuk besoja se do fitojmë shumë sipas informacioneve që kam marrë, ndërsa me studimet post-diplomike  +2, magjistrojmë. Jam konsultuar me profesorët dhe më kanë sugjeruar të vazhdoj me magjistraturën sepse kjo është më e pranueshme ditëve të sodit” tha Zeqiri.

Sociologu dhe profesori universitar dr.Ali Pajaziti, për Portalb tha se tregu i punës nuk është i përshtatur për këtë sistem të studimit. Ai thekson se ky regjim i studimeve nga një aspekt krijon huti tek masa studentore dhe tek prindërit.

“Por universitetet punojnë dhe maten sipas përqindjes së punësimit të kuadrove, për këtë arsye janë të detyruar që ta aplikojnë. Studimet +1 ofrohen me qëllim që të diplomuarit të konkurrojnë për punë në nivel vendor, meqë tregu i punës tek ne ende nuk e njeh sa duhet sistemin e ri të studimeve deri-diplomike të Bolonjës. Këtë e ka treguar përvoja e shumë studentëve që kanë pasur probleme, në veçanti në disa degë më konvencionale-tradicionale si jurisprudenca”- tha Pajaziti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button