Kriza e Gazës, Ban Ki Moon, apel për armëpushim

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Gazës në konfliktin që ka hyrë në ditën e gjashtë. 

Ban Ki Moon shtoi se do të udhëtojë në Kajro të Egjiptit për t’iu bashkuar bisedimeve për paqen. E diela ka qenë dita më e përgjakshme e konfliktit me Izraelin që ka shënjestruar shtëpitë e militantëve të Hamasit.

86 palestinezë dhe 3 izraelitë janë vrarë në gjashtë ditë pas sulmeve detare dhe ajrore të Izraelit ndaj Gazës dhe raketave të lëshuara nga Gaza drejt Izraelit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është gati të zgjerojë operacionet e tij.

Militantët e Gaza-s vazhdojnë të lëshojnë raketa drejt Izraelit, teksa janë raportuar të plagosur në qytete, përfshi Ashkelon dhe Ofakim.

Burime nga të dyja palët thonë se përpjekjet për të arritur një armëpushim po vazhdojnë.

Një total prej 18 individësh raportohen të kenë humbur jetën në Gaza nga bombardimet e Izraelit, gjatë ditës së dielë. 9 prej tyre kanë qenë fëmijë, ndërsa 4 gra, kanë bërë të ditur zyrtarë të shëndetësisë në Gaza.

Lajme të ngjashme

Back to top button