Itali, arrestohen 3 shqiptarë, rrëmbyen ekonomistin e Berluskonit

Forcat e rendit kanë arrestuar mbrëmë gjashtë persona me akuzën, se kanë sulmuar e mbajtur peng për një natë të tërë (duke gdhirë 16 tetori) në shtëpi të vet në Bresso të Milanos, Giuseppe Spinellin, llogaritarin e besuar të Berlusconit dhe të shoqen e tij Anna. Të arrestuarit janë: Francesco Leone, 51 vjeç nga Bari (që konsiderohet nga hetuesit kreu i bandës), Pierluigi Tranquilli, 34 vjeç, Alesso Maier, 46 vjeç dhe shqiptarët, Ilirjan e Laurenc Tanko dhe Marjus Anuta.

Me marrjen peng të çiftit Spinelli, banda kishte për qëllim të arrinte te Silvio Berlusconi, të cilit donin t’i shisnin për 35 milionë euro materiale, që mund ta shpëtonin në çështjen gjyqësore me Carlo De Benedetti mbi pronësinë e Mondadorit. Rrëmbimi është bërë natën, duke gdhirë 16 tetori i shkuar në shtëpinë e Spinellit dhe ky i fundit është detyruar që mëngjesin e asaj dite të telefonojë në rezidencën e Berlusconi-t në Arcore e nën kërcënimin e bandës ta bindë ish-kryeministrin, që materiali ishte vërtet i rëndësishëm e ia vlente që ta blente. Llogaritari duket se ka folur në telefon edhe me avokatin e Berlusconi-t, Ghedini, që i kishte kërkuar më shumë kohë. Në këtë pikë, gjashtë personat kanë lënë të lirë çiftin dhe duket se do të viheshin në kontakt me të tjerë punonjës të Berlusconit, për të mbyllur shitblerjen e dokumenteve, gjë që sipas stafit të Berlusconit nuk u bë. Hetimet e drejtësisë mbi këtë çështje kanë nisur më 17 tetor, pasi vetëm atëherë studioja Ghedini-Longo e avokatëve të Berlusconi-t denoncoi ngjarjen.

Çifti Spinelli, i cili prej asaj date jeton nën tutelën e forave të drejtësisë, ka dhënë detaje shumë të hollësishme, që kanë lejuar rënien në gjurmët e bandës. Të përgjuar, duke filluar pak orë nga denoncimi i ngjarjes, të arrestuarit e sotëm kanë lënë shpesh të kuptohej mbi lëvizjen e një shume prej tetë milionë eurosh, të cilës policia po punon për t’i kuptuar prejardhjen. Në fakt arrestimi i gjashtë personave është vendosur me nxitim këtë fundjavë, kur hetuesit kanë kuptuar se, pjesëtarë të bandës kanë tërhequr shuma të mëdha parash nga llogaritë e tyre bankare e po përgatiteshin t’i çonin ato në Zvicër.

Gjatë këtyre orëve po bëhen kontrolle e verifikime në qytete të ndryshme të Italisë, për të kuptuar nëse këto shuma ekzistojnë, sasinë e vërtetë dhe prejardhjen e parave, si edhe për të kuptuar më mirë ç’ndodhi nga çasti, kur çifti u la i lirë nga banda deri në çastin kur njerëzit e Berlusconi-t denoncuan ngjarjen./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button