Edhe serbët në ekipin negociator të Serbisë!

Serbët e Kosovës do të jenë pjesë e dy delegacioneve përballëse në procesin e dialogut politik të nisur muajin e shkuar në Bruksel. Ata të veriut do të jenë në ekipet e Serbisë, kurse serbët e pjesëve të tjera do të jenë në përbërje të ekipeve të Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga të dyja anët e serbëve, të ndarë në qëndrime politike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të 2008-s.

Nenad Rasic dhe Oliver Ivanoviç kanë treguar se këta serbë do të jenë të ndarë – ata të veriut do të shkojnë në ekipet e Beogradit zyrtar, kurse serbët e jugut në ekipet e Kosovës, shkruan Koha Ditore.

Ndryshe nga të tjerët, serbët e veriut vazhdojnë të mos e njohin autoritetin kushtetues të shtetit të ri dhe mbajnë lidhje të forta me Serbinë.

Për pasojë, ata nuk i binden rendit juridik dhe vazhdojnë të mos inkuadrohen në institucione. Shkaku i kësaj, faktori ndërkombëtarë ka shtruar nevojën që, krahas dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, të ketë edhe një dialog që duhet të zhvillohet ndërmjet vetë serbëve të Kosovës.

Nenad Rasiç, ministër serb në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se grupet punuese në kuadër të delegacioneve do të zhvillohen pas takimit të 7 nëntorit, i paralajmëruar të zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeministrave të dyja vendeve, Hashim Thaçit e Ivica Daçiçit.

“Serbia do ti emërojë disa grupe, qoftë nga Beogradi, qoftë nga veriu i Kosovës, të cilat do të përfaqësojnë interesat qoftë të Beogradit, qoftë të Serbëve lokalë (të veriut të Kosovës v.j.), sepse duhet të kuptojmë se realiteti i serbëve të jugut është më ndryshe nga realiteti i serbëve të veriut dhe kjo është arsyeja pse duhet të kemi një komunikim në mënyrë që të kemi një qëndrim të përbashkët”, ka thënë Rasiç. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button