Mosçelja e negociatave, shefi i diplomacisë çeke e quajti “dështim” vendimin e Këshillit të BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Tomas Petricek, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, e quan dështim vendimin e Këshillit Evropian për të mos nisur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Petricek flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe ndikimin rus në rajon, transmeton Portalb.mk.

“Vendi im e ka mbështetur procesin e zgjerimit si një nga politikat kryesore të Bashkimit Evropian. I kemi mbështetur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në synimet e tyre për t’u bërë anëtare të BE-së. Unë personalisht e konsideroj vendimin e Këshillit Evropian në tetor si dështim. Për ne është e rëndësishme tani t’i sigurojmë partnerët tanë në Ballkan se ne do të duam të punojmë me ta. Procesi është ende i besueshëm. Ne duhet ta bëjmë pjesën tonë të brendshme. Por, për ne është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes, angazhimet e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë përparim gjatë viteve të kaluara dhe ne duhet t’i inkurajojmë që të vazhdojnë dhe ta bëjnë rolin e Bashkimit Evropian në rajon të besueshëm”, tha Petricek.

Ai ka hezituar të tregojë se cilat mund të jenë pasojat nga mosçelja e negociatave, megjithëse, ka thënë se janë duke u zhvilluar takime për ta bindur Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të vazhduar me reformat.

“Jemi në kontakt me të dyja vendet. Besojmë se përparimi do të vazhdojë. Të dyja vendet duhet të vazhdojnë me reformat. Në të njëjtën kohë vazhdojnë aktivitetet, takimet me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për t’iu shpjeguar se procesi dhe politika e zgjerimit është ajo që do të sjellë stabilitet dhe siguri në rajon, i cili tashmë është i rrethuar me vende të BE-së”, tha Petricek.

Kjo deklaratë vjen pasi që të dy shtetet nuk arritën të marrin datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, sepse presidenti francez, Emanuel Makron ka refuzuar çfarëdo progresi në zgjerimin derisa nuk ndryshon metodologjia e procesit negociues, reformë e cila mund të zgjas me vite dhe për të cilën Parisi nuk jep përgjigje konkrete se si duhet të duket. Siç sqaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie, këtë metodologji Makroni do ta sqarojë gjatë vizitës që do ta realizojë në kryeqytetin e RMV-së, Shkup dhe kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ajo të ndodh edhe gjatë takimit me Pendarovskin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button