Depresioni i vjeshtës i pranishëm në Maqedoni, flasin psikiatrët

Humbja e diellit, shiu, shkurtimi i ditës në mënyrë progresive, dhe ulja e temperaturave graduale, humb buzëqeshjen tek shumë prej nesh.

Psikiatri doktor Kadri Haxhihamza, na tha se depresioni është gjendje e një tensionimi të zvogëluar psikik i cili mund të jetë prej shkallës më të lehtë deri tek shkalla më e lartë që mund të shkakton edhe vetëvrasje. 

‘Kjo rënie e tensionimit psikik shpesh paraqitet edhe gjatë stinës së vjeshtës, respektivisht edhe gjatë dimrit, posaçërisht edhe tek njerëzit të cilët janë të ndjeshëm në ndryshimin e kohës, që quhen meteoropat. Te meteoropatët paraqiten një serë ndryshimesh, jo vetëm e ekspozimit por munden të paraqiten edhe dhimbje në nyjë, në eshtra, të fjeturit më të gjatë dhe ashtu me radhë’ tha Haxhihamza.

‘Sa i përket konkretisht depresionit mendohet se shkaku i paraqitjes së depresionit në kohën kur nuk ka mjaft diell, pra gjatë stinës së vjeshtës dhe të dimrit është mungesa e një materie e cila krijohet në organizmin tonë me ndikimin e diellit, respektivisht dielli ndikon mbi lëkurën tonë, ndërsa rrezet ultra violete shkaktojnë ndriçime në lëkurë, që të krijohet ajo materie që depërton nëpërmjet trurit që krijojnë në organizmin tonë disponim, mund të themi se sasia e zmadhuar e diellit ndikon që të përmirësohet disponimi te ne, me anë të zmadhimit të melatoninit në organizmin tonë’ sqaron më tej ai.

Portalb arriti të gjej qytetarë të ndjeshëm nga ndryshimi i temperaturave të cilët nuk kanë nguruar të flasin për ndryshimet që sjell kjo stinë tek ata.

Edona Aliu, stiliste në studio Diva, thotë se vjeshta e asocon në vetmi.

‘Ardhja e vjeshtës më paraqet problem shumë, sepse më asocon në vetmi, melankoli dhe depresion. Që ta tejkaloj këtë mundohem ta gjej veten në diçka që më bën më të lumtur, shkoj diku ku e harxhoj energjinë negative. Mendoj se arsye për këtë është se natyra ndryshon, merr pamje tjetër, bie shi, ka më pak lëvizje, me këtë ndryshon edhe disponimi’ tha Aliu.

Edhe për disa studentë të anketuar vjeshta paraqet humbje energjish, depresion, lodhje.
‘Vjeshta është stina më e pa dëshiruar për mua. Është një stinë që na mbyll, na largon nga çdo gjë. Ndoshta kjo ndodh se jemi mësuar gjatë verës të jemi në lëvizje të vazhdueshme, e tani prishja e kohës, ngjyrat e vjeshtës më fusin në depresion të thellë, mendime negative, energji negative. Kam lexuar shumë herë artikuj si ta tejkaloj këtë, por sërish gjendja shpirtërore nuk ndryshohet lehtë, jam shumë imponuar apo i ndijshëm prej ndryshimit të kohës. Skam çfarë të bëj, veç se të pres gjallërinë që sjell stina e Pranverës’ u shpreh S.Mustafa, student.

‘Moti luan rol shumë të madh në gjendjen time emocionale. Vjeshta, shiu, ndryshimi i temperaturave sjell dëshpërim të thellë, pasi mungon ajo gjallëria e verës, daljet e vazhdueshme, lëvizjet, shëtitjet. Por s’kemi çka të bëjmë, edhe kjo është pjesë e jetës. Mundohemi ta tejkalojmë në mënyra tjera, duke vizituar të afërmit, duke lexuar diçka, duke u marr me sport’ tha Arman Mehmeti, student në USHT-Shkup.

Por çka duhet të bëjmë?

‘Zakonisht vetëm rrezet e diellit mundet ta tejkalojnë këtë gjendje, disa njerëz në kushte kur nuk ka diell për shembull në pjesët veriore të planetit tokë, Alaska në polin verior ku nata zgjat 6 muaj, këtë herë ata hyjnë në solariume që do të thotë me ndihmës e ditës dhe diellit artificial mundohen ta përmirësojnë këtë depresion i cili paraqitet për shkak mungesës së dritës së diellit. Normal, çdo herë në disponim na qëndrojnë edhe barnat e ndryshme antidepresive mirëpo kjo mund vetëm ta zbut situatën deri në pranverën e ardhshme, dhe respektivisht deri në paraqitjen e ardhshme të rrezeve të diellit’ këshillon psikiatri Kadri Haxhihamza.

Ndryshe, vetëm një ditë më parë, ministri për shëndetësi i Maqedonisë ka ngritur alarmin se depresioni në Maqedoni godet më se 200 mijë persona. 

Ndërsa udhëheqësit e spitalit psikiatrik në Shkup ka thënë se brengos fakti se vetëm një e katërta e njerëzve marrin tretmanë të duhur për të tejkaluar këtë gjendje shpirtërore./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button