ASH: Qeveria investon në pastrimin e ajrit brenda objekteve të veta, qytetarët nuk janë përparësi e tyre

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri sot në një konferencë për media tha se qeveria ka publikuar shpallje publike për blerje të makinerive për pastrim të ajrit brenda objekteve qeveritare, dhe se kjo dëshmon se përparësi e tyre është komoditeti brenda institucioneve qeveritare dhe jo qytetarët. Ai kritikoi Qeverinë edhe për zvarritjen e projektit për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, transmeton Portalb.mk.

“Shpallja publike e Qeverisë së RMV-së për pastruesit e ajrit në objektet e brendshme, me vlerë diku mbi 2 milion denarë, që edhe njëherë dëshmon mos gatishmërinë e Qeverisë që t’i trajtojë qytetarët me përparësi, përkundër funksionarëve qeveritar, për arsye se, jo më larg se tre ditë më parë qyteti i Shkupit por edhe i Kumanovës u shpallën qytetet më të ndotura në botë sa i përket ajrit”, tha Aziri.

Në këtë rast, tha ai, qeveria në vend që të marrë masa për pastrimin e ajrit nëpër qytete për të lehtësuar jetën apo thithjen e ajrit qytetarëve, ajo ju jep përparësi objekteve qeveritare. Ai tha se pyesin qeverinë se si është e mundur që prapë me paratë e qytetarëve të rregullojnë komoditetin brenda institucioneve qeveritare dhe aspak të mos ketë brengë për jetën e qytetarëve.

Aziri: Përse në të njëjtin vit u shpall dy herë tenderi për autostradën Shkup-Bllacë?

Aziri tha se ASH pyet Qeverinë se përse neglizhohen dhe zgjaten në pafundësi projektet të cilat premtohen në viset e banuara me shqiptarë dhe përse shpallja publike fillestare është anuluar, ripublikuar sërish dhe kjo e fundit ka të njëjtin afat.

“E kemi thirrur këtë takim me mediumet për të shprehur indinjatën tonë, pakënaqësinë tonë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë se pse vazhdimisht projektet të cilat premtohen dhe projektohen në viset e banuara me shqiptarë anulohen, neglizhohen dhe shkojnë në pafundësi. Po e pyesim Qeverinë dhe Bujar Osmanin se pse vazhdojnë me anë të manipulimeve procedurale të neglizhohen dhe të shkon në pafundësi fillimi i realizimit të projektit të rrugës Shkup-Bllacë, e cila e lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Gjithashtu pyesim Bujar Osmanin se përse është anuluar tenderi fillestar dhe pse të njëjtin vit që është anuluar shpallja publike është bërë shpallja e re publike për të njëjtin projekt, dhe afati përfundimtar i shpalljes publike prapë përfundon më 29 nëntor, ashtu siç ka qenë e paraparë me shpalljen fillestare”, tha Aziri.

Ai tha se përderisa Republika e Kosovës ndërton mbi 200 kilometra autostradë për 3-4 vite, ajo e Maqedonisë së Veriut nuk është në gjendje për 10 vite të ndërtojë 10 kilometra autostradë.

“Jemi të habitur se si me kaq shpërfillje Qeveria e Maqedonisë dhe BDI sillet ndaj projekteve që vetë i premton gati 10 vite, duke mos pasur ndjenjën e përgjegjësisë ndaj premtimeve dhe qytetarëve, por duke rritur vazhdimisht frustrimin e qytetarëve. Nuk mund të besojmë se si është e mundur kur Republika e Kosovës brenda 3-4 viteve ndërton autostrada gati 200 km, Qeveria e Maqedonisë nuk është në gjendje të ndërton për 10 vite 10 km autostradë”, tha Aziri.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button