Pantallonat e grisura dhe xhepi i shqyer

Kur ishim të vegjël, kishim frikë të kalonim përskaj Hijes së Lisave. Aty gjithmonë rrinin qentë, të cilët shoqëroheshin prej kudrave (kuçkat me qentë). Qentë ishin të tërbuar fare. Posa na nuhasnin, menjëherë ia fillonin të lehurave të harlisura, që na fusnin ethet në bark dhe pastaj na gjuheshin për të na kafshuar sikur pulat pas misrit. Qanim me dënesë dhe vraponim më shpejt seç vraponim përgjatë lojërave. Një herë një shok timit ia kishin shqyer pantallonat që tezja ia kishte sjellë prej Gjermanie dhuratë me rastin e dasmës së synetit. Ne të tjerët, me disa guralecë në duar, mundoheshim t’i frikësonim qentë, por atyre syri s’u lëvizte fare; ishin qen me kudra dhe nuk ishin gjela me pula.

Shoku ynë më shumë kishte qarë për çastet që e prisnin në shtëpi sesa për çastet e llahtarshme që posa i kishte kaluar. Ai përgatitej për një rrahje të fortë nga ana e nënës së tij dhe për një qortim të frikshëm të babait. Ashtu edhe kishte ndodhur! Duke e goditur njëkohësisht, i kishte thënë me një zë hakërrues “Të thash të mos shkosh andej. Nuk po i dëgjon prindërit ore mistrec i keq. Tërësisht i ke ngjarë xhaxhait tënd. Uh sa keq që nuk u ngjave fare dajave tu”. “Kurrë më nuk do t’i bie andej, kurrë më, ju lutem më falni”, – me një zë drithërues qe përgjigjur e përgjëruar shoku ynë. Në gjithë këtë zallamahi vetëm qeni nuk do të mallkohej fare dhe për dhimbjen e shkaktuar nga qeni, madje as që do të flitej. Qen ishte! Detyrë e tij ishte t’i shtinte ethet në barkë, para se t’i ngulte thonjtë e paprerë, por të mprehur. Lajm do të përbënte nëse qeni do të shpëtonte, ngaqë ky virtyt rrallë shihet te qentë.

Tanimë u rritëm! Mbase një plak na tha se ishim bërë burra, edhe pse nuk e besonim një gjë të tillë, ngase ishim mësuar të vlerësonim në këshillim me ndjenjat tona. Nuk ndiheshim burra, ndaj çdo argument rreth kësaj gjëje as kompliment nuk na dukej. Pasi që nuk ishim takuar moti kohë, së bashku me shokët e dikurshëm, vendosëm të kalonim kah Hija e Lisave. Dëshironim të hakmerreshim për shokun. Tani ndiheshim të fortë, mendonim se do t’i rrihnim qentë gjer sa të rigonte ndonjë pikë shiu. U nisëm! Syri nuk na trembej fare. Mendonim se do t’i shqyenim qentë dhe t’u thoshim se “ju dukej mirë kur na vërsuleshit pamëshirshëm ore të pamëshirë, pse nuk lehni tani o qenë të zgjebosur?”.

Sakaq, pamë se qentë nuk ishin aty. Si të mpirë mbetëm kur i pamë se në po të njëjtin vend ishin disa policë. Njëri prej policëve, që e kishte një fytyrë të ushtruar për trishtimin e fëmijëve, sidomos i atyre që nuk i merrte me kohë gjumi, duke e lëvizur gishtin tregues e thirri njërin prej nesh. Sa keq, qëlloi të jetë ai që dikur ishte shqyer prej një qeni. Nuk guxuam të merrnim guralecë as gurë në duar. Si të ishim në teatër e përcillnim skenën përplot trishtim. Madje, as nuk qeshnin dhe as nuk qanim. Nuk e di nëse fytyrat tona kishin marrë pamje serioze. Gjobitesh me 100 euro, për shkak se gomat e biçikletës i ke me baltë, edhe pse policit i shihej ajvari në njërin prej dhëmbëve të tij të palarë dhe lloçi në këpucë e në gomat e veturës i vezullonte prej rrezeve të diellit që shponte thellë pllangat e baltës. Nuk kishte faj polici. Kuvendi i kishte fajet, që nuk e kishte kundërshtuar ligjin për gjoba, duke qenë se ende rrugët ishin gjithandej me baltë. Nuk ia fali. E dënoi pamëshirshëm ai të cilit mëshira i kishte ikur azil, sepse kishte mësuar se ligji dhe mëshira duhet të jenë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Shoku ynë tashmë nuk qau fare, sepse posa kishte filluar të ndihej si burrë. Shqetësohej sërish! Babai, i cili e mbante financiarisht, mund ta qortonte sërish se përse kishte shkuar te Hija e Lisave, duke qenë se ai qysh para disa vjetësh i kishte thënë të mos i binte andej. Si t’ia tregonte të vërtetën? Kishin shkuar t’u hakmerreshin qenve dhe sakaq ishte dënuar prej policëve, edhe atë pikërisht ai të cilit dikur qentë ia kishin shqyer pantallonat e synetisë. Ndërkaq tani duket se policët ia shqyen edhe xhepin, të cilin posa ia kishte qepur tezja, që posa kishte ardhur prej mërgimi!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button