“Monstra”, Xhelal Bajrami i ka shkruar sms Ali Ahmetit: Qartë shihet se vrasjen e kanë kryer persona profesionistë

Me lexim të SMS-porosive lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, sot ka vazhduar gjykimi për rastin “Monstra”, njofton Portalb.mk.

Në seancën e sotme gjyqësore janë lexuar disa porosi mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe prokurorit Xhelal Bajrami, që në kohën e vrasjes ka qenë zv/ministër i Punëve të Brendshme. Ata kanë biseduar disa ditë pas vrasjes së pesëfishtë, gjegjësisht më 24 prill, në ora 07:34, Ahmeti e pyet Bajramin se si është gjendja, pas së cilës ka marrë përgjigje:

“Presim kryetar, nuk ka shumë prova të forta. Qartë shihet se janë profesionistë. Edhe kryeministrit i thash. Nuk ka ndodhur që kështu të ekzekutohen fëmijë prej pas shpine. Kjo nuk ka ndodhur as në luftën e Kosovës, as në luftën e 2001-shit. Nëse dikush do të dëshironte destabilizim do të sulmonte persona të uniformuar, stacion policor… Mua më ngjan në skena të luftës së ish Jugosllavisë. Kanë qenë profesionistë, nuk kanë lënë asnjë gjurmë, përveç gjurmëve të gomave të automjetit”, i thotë Bajrami Ahmetit.

Ahmeti më pas e ka pyetur, se a ka gjurmë biologjike.

“Janë gjetur dy gjurmë brenda, por nuk përkasin me ata që deri më tani janë marrë në pyetje”, thotë Bajrami.

Ndryshe, rasti gjendet në procedurë dëshmuese dhe do të nxirren mbi 133.000 SMS-porosi dhe transkripta tjera, të propozuara si dëshmi shtesë nga Prokuroria.

Seanca e radhës do të mbahet më 4 nëntor.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button