Ngrihet aktakuza për rastin Monstra, e bazuar vetëm në thirrje telefonike

Edhe dy dëshmitarë të rinj, për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovcës më 12 prill të këtij viti. Avokati Naser Raufi, i cili sot e morri aktakuzën kundër klientëve të tij, tha se është habitur kur ka lexuar se ekzistojnë edhe dy dëshmitarë tjerë për të cilët as që e din se kur dhe çfarë dëshmie kanë dhënë. Me këtë numri i dëshmitarëve ka arritur në gjashtë plus dëshmitari i koduar E1. Raufi tha se asnjëri prej këtyre dëshmitarëve, nuk e ka parë aktin e vrasjes së pesëfishtë, ndërsa aktakuza sipas tij përbëhet vetëm nga transkriptat e telefonave, transmeton Alsat-M.

“Asgjë nuk ka dëshmi përpos transkriptove, ka disa dëshmitarë të ri përsëri, që për herë të parë i shoh në këtë aktakuzë, që do të thotë se është minimizuar roli im si mbrojtës, praktikisht janë fshehur prej meje gjëra nga hetimi, nga gjykatësi hetues unë nuk jam njoftuar se merren këto dëshmitarë.  Nuk ka asnjë dëshmitar që e ka parë vrasjen, nuk ka asnjë dëshmitarë gjurma biologjike, në këtë rast e tërë aktakuza është transkripto e telefonatave që duhet ti shohim, u shpreh Naser Raufi, avokat.

Sipas aktakuzës, me propozim që të vazhdohet paraburgimi të akuzuarit, Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri dhe Rami Sejdi akuzohen për veprën penale terrorizëm, nga neni 394 B të ligjit penal, paragrafi 22 ndërsa Haki Haziri akuzohet gjithashtu për terrorizëm, por si ndihmës  i të akuzuarve tjerë.

Në aktakuzë thuhet se në fillim të vitit 2012 të akuzuarit Fejzi Haziri, Alil Demiri, Sejdi Rami, Afrim Isamiloviq dhe Agim Isamiloviq, janë marrë vesh të kryejnë vrasje të më shumë personave të përkatësisë etnike maqedonase në territorin e fshatit Smillkovcë, në vendin e quajtur ‘Liqeni i Smillkovcës’ me qëllim të destabilizimit të Maqedonisë, për çka nga 9 prilli deri 12 prill kanë shkuar dhe kanë shikuar terrenin rreth liqenit të Smillkovcës për të parë persona të cilit nacionalitet vizitojnë këtë lokalitet. 
“Të akuzuarit Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq më 12.04.2012 në periudhën nga ora 19:40 deri në 19:50, duke vepruar në bazë të marrëveshjes, me qëllim rrezikimin e jetës dhe krijimit të ndjenjës së pasigurisë dhe frikës tek qytetarët e Maqedonisë, në mënyrë tinëzare dhe me paramendim kanë vrarë pesë persona të përkatësisë etnike maqedonase, Cvetanço Acevski, Kire Triçkovski, Aleksandar Nakevski, Filip Slavovski dhe Borçe Stevkovski në mënyrë që i akuzuari Alil Demiri , me përdorimin e armës së zjarrit, pistoletë me municion të kalibrit 9 milimetër si dhe të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, kanë shtënë me pushkë automatike, në largësi prej 1.5 metra nga viktimat”.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se më 26.04.2012 i akuzuari Fejzi Haziri, u ka ndihmuar dy të akuzuarve tjerë Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit të largohen në drejtim të Kosovës. 
Avokati mbrojtës Naser Raufi tha se do të ankohet ndaj kësaj aktakuza, pasi siç u shpreh ai, në bazë të aktakuzës, shihet se ky rast është i montuar./Alsat-m/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button