Kujt ia vret veshin gjuha shqipe?

Elektorati shqiptar edhe më tej nuk mund tua dëgjojë zërin origjinal përfaqësuesve të tyre në Kuvend.  Edhe pse fjalimet e deputetëve shqiptarë përcillen në gjuhën shqipe në një frekuencë të posaçme, shumë operatorë kablovik seancat e Kuvendit i transmetojnë vetëm në frekuencat kryesore, që do të thotë se fjalimet e deputetëve shqiptare dëgjohen vetëm në përkthim – në gjuhën maqedonase.

“Pse nuk realizohet një e drejtë e cila është e paraparë me Kushtetutë, respektivisht me amendamentin 5 të kushtetutës, me Rregulloren e Parlamentit, është e garantuar edhe me Rregulloren e Këshillit për kanalin televiziv të Kuvendit, në të cilën në mënyrë decide shkruhet që parlamenti është i obliguar që të përcjell sinjalin televiziv deri te veshi i qytetarit. Mendoj që është problem politik, prandaj kjo çështje nuk është aq është aq e lehtë sa dikush e merr. Problemi është esencial. Vazhdon një refuzim i pakuptimtë ndaj shqipes dhe shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Vazhdon refuzimi që i është bërë me dekada të tëra shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe asgjë nuk ndryshohet” – thotë deputeti i PDSH-së Ziadin Sela.

Siç dihet, në shenjë proteste për këtë problem, PDSH për disa muaj kërkon nga një orë pauzë me qëllim të senzibilizimit të kësaj çështjeje. Megjithatë, Sela tha për Portalb se nëse së shpejti ky problem nuk përfundon me zgjidhje, ekziston mundësia që të bllokojnë Kuvendin.

Edhe përfaqësuesi i partisë tjetër opozitare, Izet Zeqiri nga RDK qëndron në vijë të njëjtë për sa i përket kësaj çështjeje. Ai sugjeron që të rishikohen ndryshimet e vitit 2009 kur u ndërpre transmetimi i Kuvendit në gjuhën shqipe të MTV2.

“Sinjali origjinal i fjalimeve të deputetëve shqiptar duhet të shkon në televizion. Mendoj se duhet të rishikohen gabimet e vitit 2009 kur u ndryshua sistemi i transmetimit dhe MTV2 iu morr e drejta që të transmetojë seancat në gjuhën shqipe, dhe prej atëherë ka lindur ky problem me të cilin censurohet përdorimi i gjuhës shqipe” – thotë Zeqiri.

Nga BDI nuk prononcohen zyrtarisht. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të kanalit të Kuvendit, deputetët e shumicës parlamentare propozuan formimin e një trupi të posaçëm, i cili do të shqyrtonte gjithë situatën e krijuar dhe do të dilte me një raport, nga i cili edhe do të propozohej zgjidhje, por kjo është kundërshtuar nga opozita shqiptare. 

Ndërkaq kryetari i Këshillit të kanalit të Kuvendit, Jani Makraduli bëri të ditur se është dërguar kërkesë deri të operatorët kabllovik që të përcjellin fjalimet në gjuhën shqipe edhe në DUAL II opsion dhe se presin përgjigje nga të njëjtit. Por për opozitën shqiptare as ky opsion nuk është i pranueshëm, ngaqë sipas të dhënave të Këshillit Radiodifuziv vetëm 30% e qytetarëve posedojnë televizorë me sistem të tillë zërimi. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button