Kushtetuesja konfirmoi Ligjin për amnisti

Gjykatësit kushtetues njëzëshëm hodhën poshtë nismën për vlerësimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për amnisti të miratuar në vitin 2002, ndërsa nisma tjetër për vlerësimin e kushtetueshmërisë së interpretimit autentik të Ligjit për amnisti u hodh poshtë me shumicë votash.

Gjykatësit konfirmuan se ligjshmërisht është sjellë Ligji për amnisti, me të cilin deputetët i mbyllën katër rastet e Hagës “Kryesia e UÇK-së”, “Penda e Likovës”, “Varreza Neproshten” dhe “Punonjësit e Mavrovës”. 

Gjykata vendosi t’i hedh poshtë nismat meqë vërtetoi se për çështjet e ngritura institucioni tashmë ka debatuar dhe vendosur dy herë.

Gjykatësit konsiderojnë se për nenin 1 të Ligjit janë harxhuar të gjitha çështjet në nismat paraprake dhe tani nuk ka bazë për vendimmarrje më ndryshe. Lidhur me interpretimin autentik, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se interpretimi në vete nuk përmban çfarëdo sqarimesh të nenit 1 të Ligjit për amnisti në kuptimin e asaj se si të kuptohet dispozita, as si të zbatohet, por vetëm ka domethënien e përsëritjes së shprehjeve në dispozitën ligjore, dhe për këtë shkak Gjykata vendosi që kjo nuk është e pranueshme për vlerësim kushtetues-gjyqësor.

Nismat me të cilat kërkohej që të shpallet jokushtetues Ligji për amnisti, si dhe interpretimi autentik i Ligjit, referoheshin se ligjvënësi ka dalë nga kornizat e tij dhe ka shkelur konventat ndërkombëtare të cilat parashikojnë që krimet e luftës kundër njerëzisë të mos përfshihen me amnistinë dhe të mos vjetrohen si vepra penale.

Nisma e parë është propozuar prej një grupi të qytetarëve nga Tetova, ndërsa e dyta nga Aleksandar Petrushevski nga Shkupi.

Kuvendi në korrik të vitit 2011 me votimin e interpretimit autentik të Ligjit për amnisti vendosi që të pushojë ndjekja penale e “përgjegjësve për katër rastet e Hagës”, të dyshuar për krime në vitin 2001.

Deputetët e LSDM-së dhe PRSD-së opozitare votuan kundër interpretimit autentik për shkak se me të gjoja është rrënuar shteti juridik, ndërsa lëndët e Hagës të cilat nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë u kthyen në Maqedoni nuk kanë guxuar të jenë lëndë e Ligjit për amnisti. Krahas tyre, deputetët e BDI-së vlerësuan se interpretimi autentik do të mbyllë një problem shumëvjeçarë.

Oponentët e tyre të bllokut politik shqiptar i akuzuan për reagim të vonuar për ndryshim të plotë të Ligjit për amnisti. Kërkesa për interpretimin autentik u parashtrua prej disa deputetëve të BDI-së.

Gjykatësit kushtetues sot debatuan edhe për nismat e ngritura për Ligjin për marrëdhënie pune dhhe për Ligjin për sigurim shëndetësor, për Marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin privat nga sfera e ekonomisë të Republikës së Maqedonisë, si dhe për Vendimin për sjelljen e Planit detajor urbanistik për UE-2 pjesë e Bllokut 8 Strugë, miratuar nga Këshilli i komunës së Strugës. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button