Rastet e Hagës nesër para kushtetueses, BDI pret vendimin

Nesër gjykatësit kushtetues do të vendosin për kushtetutshmërinë e interpretimit autentik të Ligjit për amnisti, ku do të shqyrtohet kushtetutshmëria e amnistisë të rasteve të Hagës. Deri te Gjykata Kushtetuese ka pasur tre iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të mbylljes së këtyre rasteve, por pas një heshtjeje të gjatë, ky institucion ka vendosur që tani të ngrit këtë procedurë.

“Ne do të shqyrtojmë iniciativën, do të diskutojmë, do të debatojmë dhe në fund do të sjellim vendim. Varësisht nga ajo se çfarë do të vendoset, nëse ne e anulojmë vendimin e Kuvendit atëherë gjyqet do të jenë në situatë siç ishin para Ligjit për interpretim autentik të amnistisë. Unë nuk mund të komentoj se çfarë do të bëjnë ata pastaj” – ka thënë Branko Naumovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese për Portalb.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim preferojnë që të presin vendimin e Gjykatës përpara se të komentojnë. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Abdylaqim Ademi shkurt për Dnevnik ka komentuar se nuk pret që të shfuqizohet interpretimin autentik, për shkak se një gjë e tillë do të ishte precedent për gjyqësinë.

“Nuk besoj se do ta shfyqizojnë interpretimin autentik të Ligjit për amnisti. Nëse ndodh, ajo do të jetë një precedent për gjyqësinë për shkak se ajo është vendim i Parlamentit dhe vetëm shtëpia ligjvënëse mund ti interpretojë vendimet që i ka miratuar”, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.

Edhe analistët e kanë cilësuar këtë iniciativë si provokim politik ndaj një interpretimi kushtetues dhe ligjor i cili duhet të jetë punë e mbyllur.

Sipas interpretimit autentik të Ligjit për amnisti, në të bëjnë pjesë edhe rastet “Udhëheqësia e UÇK-së”, “Neproshteni”, “Punëtorët e Mavrovës” dhe “Diga e Likovës” të cilat ishin procesuar në Gjykatën Tribunale të Hagës, por në vitin 2008 ata janë kthyer në kompetencë të gjykatave të Maqedonisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button