Skema e pushtetit dhe mollët e mbretit

Shpesh na ndodh të dëgjojmë nga individë të ndryshëm këto e të ngjashme refrene: “Nuk na pranojnë në Bashkimin Evropian, nuk na besojnë, na thonë ta respektojmë drejtësinë, të punojmë me nder, të mos vjedhim, të mos marrim ryshfet etj. Por ne shtiremi si të shurdhër, jo që nuk i dimë këto punë, por jemi lakmitarë dhe të pafytyrë, nuk kemi turp, nuk kemi përgjegjësi, nuk kemi moral, nuk i frikohemi padrejtësisë ndaj të tjerëve, nuk na bren ndërgjegjja…!”

Ç’është e vërteta, këto virtyte të këqija janë strukturuar në mekanizmat e funksionimit të shtetit dhe të mbajtjes së pushtetit, aq mirë e në mënyrë perfide, sa që nuk u intereson vuajtja e tjetrit, kur është në pyetje lumturia vetjake. I premtojnë popullit e punojnë për vete.

Vit pas viti, ky sistem, kjo skemë funksionimi i shtetit u bë model për mbajtje të pushtetit, me kritere dhe vlera të përmbysura. Për atë që thonë: “pushtetarët kanë kapur shtetin”, populli e di mjaft mirë këtë avaz dhe s’është aq i marrë që mos t’i di “marifetet” e pushtetit, por s’ka çka të bëjë: “Shiko poshtë – tokë, shiko lart – qiell…!” S’e sheh as diellin! Dikush diellin po e mbulon me shosh.

Mirëpo, populli në momente të vështira, kur mbështetet për muri, prehje nganjëherë gjen te përrallat. Populli ka marrë shumë mësime nga përrallat dhe anekdotat. Një përrallë e tillë jo vetëm që zbulon mashtrimin e funksionimit të një shteti, por edhe e demaskon atë, ndonëse s’ka ndonjë fajde nga kjo, sepse më në fund shkopin e han përsëri populli. T’i kthehemi përrallës që ka nga pak të vërtetë nga aktualiteti jonë.

“Ka qenë i ulur mbreti në fronin e tij dhe ka dëgjuar se si dikush nga jashtë po bërtet: “Urdhëroni, urdhëroni, molla të ëmbla si sheqeri…!” Është ngritur mbreti nga vendi dhe ka shikuar nga dritarja. Ka parë një plak që po i shet mollët me një karrocë dhe njerëz që presin rend për të blerë. Është lakmuar mbreti dhe e ka thërritur këshilltarin e vet: “Ja pesë lira ari, vrapo që të më blesh pak molla!”

Këshilltari e ka thërritur vezirin dhe i ka thënë: “Ja ku i ke katër lira ari, vrapo t’i blesh molla për mbretin!”. Veziri e ka thërritur ndihmësin e tij dhe i ka thënë: “Ja tri lira ari, vrapo t’i blesh molla për mbretin!”. Ndihmësi e ka thërritur shefin e rojës dhe i ka thënë: “Ja dy lira ari, vrapo t’i blesh molla për mbretin!”. Shefi i rojës e ka thërritur njërin prej rojeve dhe i ka thënë: “Ja një lirë ari, vrapo t’i blesh molla për mbretin!”.

Rojtari ka dalë jashtë dhe i është kërcënuar shitësit të mollëve: “Hej, ti, çka po ulërinë aq shumë? Si të duket ky vend, si pazar apo si oborr mbretëror? Leri mollët dhe mos të të shoh më këtu!” Plaku i frikësuar ka ikur, duke lënë aty karrocën me molla. Karrocën e merr rojtari dhe e fut në oborr. Pas pak, pasi e shkarkon gjysmën e karrocës me mollë në dhomën e vet, rojtari shkon te shefi i tij dhe i thotë: “Ja shef, kam bërë një allishverish të mirë, për një lirë ari kam marrë gjysmë karrocë me molla!”.

Shefi i rojës ka shkuar te ndihmësi i vezirit: “Ja, ekselencë, për dy lira ari mora një thes me molla!”. Ndihmësi ka shkuar te veziri: “Ja vezir i nderuar, për tri lira ari, të solla një strajcë me molla!”. Veziri ka shkuar te këshilltari, duke iu drejtuar: “Ja, për katër lira ari, një gjysmë strajcë molla për mbretin!”. Këshilltari, më në fund ka shkuar te mbreti dhe i ka thënë: “Ja, madhëria juaj, ashtu si urdhëruat, Ju kam prurë këto pesë molla!”.

Është mbështetur mbreti në kolltukun e vet dhe ka filluar të mendohet: “Pesë molla, për pesë lira ari…!?” Ndërsa populli pret rend për të blerë?! Populli më paska mashtruar, paska para me bollëk. Andaj mbreti menjëherë ka vendosur: “Këtij populli duhet t’ua shtojmë taksat dhe tatimet…!”

Kështu ndodh edhe në jetën tonë të përditshme. Një ilustrim i qartë për funksionim të shtetit në vijën vertikale, prej lart-poshtë dhe prej poshtë-lart: plaçkitje e mashtrime pa fund, ndërsa informatat kthehen në “qendër”, me një pasqyrim të shtrembëruar. Me këto lajthitje, ndërtohen strategjitë e pushtetit për “mjelje” të popullit. Sa më të mëdha janë gënjeshtrat dhe mashtrimet, aq më e madhe është trysnia për shtrydhje materiale. Është çështje tjetër nëse e meriton ky popull këtë gjendje dhe këtë keqtrajtim, sepse në politikë nuk vlen ajo maksima e urtë: “Populli gjithmonë ka të drejtë!”. Në praktikë, kjo urti është demantuar sa e sa herë, në radhë të parë kur populli gjendet pranë kutive të votimit. Atëherë mashtrimi bëhet me bisht: “Atë çka do mbjellësh, edhe do e korrësh!”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button