PDSH: BDI solli pasardhësit e Millosheviçit në Kumanovë

Partia Demokratike Shqiptare përmes deputetit të tyre, Orhan Ibrahimi ka reaguar për lejimin e zyrtarëve serb që në Kumanovë të shënojnë gjenocidin ndaj shqiptarëve, gjegjësisht Betejën e Kumanovës në Zebërnjak.

“Dje pasardhësit e Millosheviçit dhe Sheshelit, Nikoliçi dhe Daçiçi të ftuar nga BDI erdhën dhe na kujtuan gjenocidin dhe shpërnguljen e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga trojet e tyre etnike ndër të cilat Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë veriore. BDI u lejoi vrasësve serb të defilojnë në vendbanimet shqiptare me marrëveshjen për bashkëpunim policor mes Republikës së Maqedonisë dhe Serbisë, kurse dje u mundësoi të festojnë masakrën ndaj dhjetëra mijë shqiptarëve. Sa u përket mesazheve shoviniste dhe fashizoide ua përkujtojmë amanetin e stërgjyshërve të tyre “kush nuk e din se çfarë është vuajtja që dhemb, le ta kaloj Shqipërinë në këmbë” – tha Ibrahimi.

Delegacioni serb përbëhej nga presidenti Tomisllav Nikoliq, kryeministri Ivica Daçiq si dhe kryetari i Republika Sërbska Millorad Dodiq, funksionarë të tjerë si dhe përfaqësues të qeverisë së Maqedonisë. Manifestimi i cili filloi me intonimin e himnit të Serbisë dhe Maqedonisë,  u vijua nga fjalimi i kreut shtetëror,  i cili ashtu sikurse në takimin me Presidentin Ivanov përmbante tone nacionaliste./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button