Lëvizja Vetëvendosje: Vuçiqi nuk është në pozitë që t’i komentojë simbolet

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate, e ka porositur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që duhet ta dijë se “Kosova është demokraci, në të cilën askush askujt nuk ia imponon identitetin ose simbolet, e aq më pak mund të censurohet vullneti politik i një subjekti”, njofton REL. 

“Aleksandar Vuçiqi i cili para pak muajve në Mitrovicë mbajti fjalim lavdërues për (Sllobodan) Milosheviqin, nuk është as në pozitën morale e as politike të ankohet për simbolet tona kombëtare, me të cilat kurrë nuk kemi pushtuar e nuk kemi dëmtuar asnjë fqinj”, ka thënë Liburn Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë mënyrë, ky subjekt politik i është përgjigjur një shkrimi të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rrjetin social Twitter pas një takimi që Kurti kishte zhvilluar në zyrat e Vetëvendosjes në Prishtinë me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Aty, në fotografi nga takimi ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ambasadorit Nicholas Abbott shihej në prapaskenë flamuri kombëtar shqiptar.

Kjo fotografi ishte bërë shkas për shkëmbimin e pyetjeve dhe përgjigjeve përmes rrjetit social Twitter, ndërmjet presidentit të Serbisë, Alekasandar Vuçiq dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

Kjo pamje, e ka cytur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që përmes llogarisë së tij në rrjetin social Twitter, t’i drejtohet me pyetje ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

“Pyetje për ambasadorin e BM në Prishtinë: Në zgjedhjet e kujt ka fituar Kurti dhe partia e tij dhe flamuri i cilit shtet është ai para të cilit, ekselenca e juaj, jeni fotografuar me krenari me Kurtin? Do t’ju pyes për këtë derisa të marrë një përgjigje”, ka shkruar Vuçiq, duke aluduar se flamuri kombëtar shqiptar, i cili njëkohësisht është edhe flamur shtetëror i Shqipërisë, nuk është flamur i Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button