Thaçi në takim me Panaritin, e njoftoi për situatën politike në vend

Në një takim të veçantë në zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ministri Edmond Panariti, priti kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi. 

Në këtë takim lideri i PDSH-së, Thaçi e informoi ministrin Panariti me situatën aktuale politike në Maqedoni, me theks të veçantë për pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Lideri i PDSH-së shprehi brengosjen e tij të thellë lidhur pozitën në të cilën gjenden shqiptarët duke nënvizuar se qeveria aktuale e Republikës së Maqedonisë dita-ditës vështirëson pozitën e shqiptarëve merepresione dhe dhunë sistematike shtetërore. 

“Fatkeqësisht, sot shqiptarët në Maqedoni u shkelen të drejtat e tyre, janë objekt i keqtrajtimeve policore, të proceseve të montuara me karakter etnik, shfrytëzim i skajshëm ekonomik, gjë që padyshim ndikon jo vetëm në stabilitetin e Maqedonisë, por edhe të tërë rajonit. 

Kryetari i PDSH-së shprehi brengosjen e tij të thellë lidhur me bllokimin e procesit të integrimit nga ana e qeverisë së Maqedonisë dhe veçmas mosgatishmëria e tyre për zhbllokimin e këtyre proceseve integruese. 

Përderisa pjesa tjetër e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, hapërojnë me hapa të sigurt drejt integrimeve evropiane, shqiptarët në Maqedoni janë jashtë këtyre proceseve, si pasojë e një politike jo konstruktive dhe mendjemadhe të kësaj qeverie aktuale”, thuhet në komunikatën e PDSH-së. 

Kryetari i PDSH-së, siguroi ministrin e jashtëm se PDSH-ja çdo herë do të jetë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe se çdo herë do të angazhohet që edhe kjo pjesë e kombit shqiptar dhe në të edhe vetë Republika e Maqedonisë të integrohet në strukturat euro-atlantike. 

Rruga drejt këtyre proceseve nuk ka alternativë, u shpreh Thaçi, gjë që do të kontribuonte mjaftë në stabilitetin jo vetëm të këtij shteti, por edhe të rajonit në përgjithësi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button