Shqipëri, homazhet e grekëve, incidente në Këlcyrë

Shënohen incidente në Këlcyrë ku grekët mbajnë homazhet për ushtarët e rënë në Luftën e Dytë Botërore, e që ata pretendojnë se janë të varrosur në varrezën e Kosinës. 

Sipas njoftimeve paraprake, mësohet se është qëlluar me gurë makina e ambasadorit grek, por ky i fundit nuk ka pësuar lëndime. Forca të shumta policie kanë ndaluar aktivistët e Aleancës Kuqezi që t’i afrohen varrezave ku pala greke zhvillon homazhet, raporton Top Channel.

Mësohet se katër autobusë kanë ardhur nga  Greqia për këto homazhe dhe janë kryesisht të afërm të ushtarëve të vrarë, ndërsa nuk raportohet për aktivitet të neonazistëve të Agimit të Artë. 

Ishte lajmëruar se në ceremonitë që do zhvilloheshin në Këlcyrë të Përmetit do merrnin pjesë edhe aktivistët ekstremistë grekë për të përkujtuar ushtarët grekë të rënë në luftën italo-grekë. 

Disa dhjetëra mbështetës të Aleancës Kuqezi u grumbulluan të shtunën për disa orë në Urën e Dragotit për të protestuar ndaj “marshimit të fashistëve grekë”, siç i etiketuan ata drejt territorit shqiptar, përfaqesuesit e ekstremit të djathtë grek “Agimi i Artë”. 

Dita e “jo”-së që Greqia i ktheu Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore e që pasoi me luftën mes dy vendeve, por që u zhvillua në kufirin shqiptaro-grek, përkujtohet me ceremonitë në varrezat e ushtarëve grekë. 

Në Këlcyrë është zhvilluar një nga betejat më të mëdha mes ushtarëve grekë dhe italianë dhe në këtë qytezë të vogël të rrethit Përmet nisin ceremonitë përkujtimore që përfundojnë në Bularat, ku ndodhet një varrezë e ushtarëve grekë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button