Kosovë, Platforma “sekrete” e Qeverisë

Qeveria e Kosovës edhe 10 ditë pas marrjes së “dritës jeshile” nga Kuvendi i Kosovës për fillimin e bisedimeve politike me Serbinë, ende nuk ka dhënë detaje nëse ka filluar me hartimin e platformës se çka do të flitet e çka jo në këto bisedime.

Zyrtarët e lartë qeveritarë janë treguar shumë të kujdesshëm që të mos iu “rrëshqasë” asnjë informatë lidhur me hartimin e një platforme të mundshme.

Të shtunën asnjë nga zyrtarët qeveritarë nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë çështje. Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi nuk ka dashur të flasë për këtë temë.

“Pyetni Enverin (Hoxhajn)”, ka qenë përgjigja e tij e shkurtër e tij për “Zëri”.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ndërkaq, ka qenë edhe më i mbyllur. Ai pos që nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike të redaksisë, nuk i ka kthyer as sms-të lidhur me këtë çështje.

As shefi i tyre, kryeministri Hashim Thaçi, nuk ka dashur të flasë të premten për platformën e bisedimeve. Thaçi, kur është pyetur nga gazetarët pas vizitës që i ka bërë Bashkësisë Islame për t’ua uruar festën e Kurban Bajramit, nëse Qeveria e Kosovës do ta dërgojë platformën e bisedimeve në Kuvend për miratim, ai ka pyetur gazetarët “nëse këtë gjë duhet ta bëjë në Ditën e Bajramit”!? /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button