Tearca shënon ditën e fasules

Dita e fasules apo dita e groshës e njohur për banorët e e kësaj ane është shënuar në komunën e Tearcës.

Kazani i madh për 120 racione u vu sot në zjarr, në shënimin e ditës së Groshës së gjuetarëve, të cilin autoritetet dhe banorët e Tearcës synojnë ta shndërrojnë në traditë. Në gatimin e groshës dhe hallvës së gjahtarëve, kuzhinierët zbuluan edhe ndonjë sekret të vogël. 
“Qëllimi kryesor i këtij manifestimi është që të bëhet brendimi i produkteve kryesore, gjegjësisht brendimi i groshës, pasi siç e dimë grosha në regjionin tonë është një produkt kryesor bujqësor dhe e pamë të nevojshme që të bëjmë ruajtjen e këtij produkti duke bërë këtë manifestim i cili organizohet për të tretin vit radhazi”, tha Astrit Rexhepi/drejtues i projektit.

Barën më të rëndë sot, e kishte mjeshtri i groshës i cili edhe pse me fshehtësi, zbuloi disa sekrete për përgatitjen sa më të shijshme të groshës së gjuetarëve.
“Sot përgatis groshë për 120 persona, 12 kilogram goshë dhe 10 kilogram mish, e në të po ashtu hedhim edhe zarzavate, piper, domate, qepë. E fshehta e kësaj groshe është që, gjatë zierjes të mos përzihet asnjëherë, dhe normal, të mos përdoret zierje e fortë, por e ngadaltë”, u shpreh  Mirko Gjorgjevski, kuzhinier.

 “Unë përgatis hallvën e gjuetarëve, të cilën e bëjmë tradicionalisht çdo ditë kur lëshohet gjuetia, dhe këtu në ditën e groshës. Tani kemi hedhur vajin, pastaj miellin dhe kur të fillojë skuqja, edhe ujin… dhe në fund sheqerin, rrushin e thatë dhe… në fund shijohet sa është e mirë”, tha Osman Isaku, kuzhinier.

Në këtë manifestim nuk munguan vizitorët e shumtë, të cilët përveç shijimit të gatimeve të sjella nga shumë banorë të tjerë të kësaj ane, panë gjithashtu edhe një dokumentar mbi malin Sharr.

“Sot kemi një festë dhe po punojmë që kjo të jetë tradicionale e cila ka të bëjë me përgatitjen, zierjen e groshës dhe në fund ngrënia e drekës me fasule dhe mish qengji. Ne bëjmë përpjekje që ta kemi sërish primatin, t’i stimulojmë fermerët që përsëri me kontributin e tyre fasulja të jetë brend në komunën tonë”, deklaroi Isen Asani, kryetar i Komunës së Tearcës. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button