Ende pritet Ligjin për Vodnon: Si ndodhi që 30 ditë u bënë një vit i tërë

Kaloi më shumë se një vit që kur Qeveria e obligoi Ministrinë e mjedisit jetësor të hartojë një Ligj për Vodnon brenda 30 ditësh dhe ende s’ka ndonjë realizim konkret të këtij vendimi të Qeverisë. Miratimi i një ligji të tillë ishte paraparë të jetë kompensim i veçantë për vendimin që rruga e tubacionit të gazsjellësit të kalojë ende nëpër pyllin park, pas protestave disamujore nga shoqatat për ruajtje të mjedisit në Vodno. E vetmja gjë që është bërë nga ajo kohë për mbrojtjen e Parkut Vodno ishte mbajtja e një seance dëgjimore publike më 26 gusht për studimin e vlerësimit të zonës së mbrojtur në pyllin park Vodno, transmeton Meta.mk.

Përgatitja e studimit nuk u përmend aspak në vendimin e seancës së 86 të qeverisë si parakusht për miratimin e ligjit për Vodnon.

“Ngarkohet Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit fizik të përgatisë dhe të paraqesë në Qeveri brenda 30 ditësh projektligj për të shpallur pyllin park Vodno për zonë të mbrojtur”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së 86 të qeverisë të mbajtur më 22 gusht 2018.

Qyteti i Shkupit njoftoi se studimi, të cilin e ka punuar UNDP, duhej t’i paraprijë miratimit të një ligji për mbrojtjen e Vodnos, por studimi kishte shumë kritika si nga eko-aktivistët ashtu edhe nga publiku pasi parashikon nivelin më të ulët të mbrojtjes për Vodnon si kategori e 5, zvogëlim të zonës së mbrojtur, ndërsa mënyra e zonimit të rajonit të mbrojtur mundëson aktivitete ekonomike në gati 40% të pyllit parkut që deri më tani ishin të ndaluara si objekte të reja për qëllime strehimi dhe turizmi, por edhe prerja dhe shkurtim të drunjve, kullotja e kafshëve, prodhimi bujqësor intensiv dhe madje edhe qasja me automjete motorike.

“Ne kemi vërejtje të përgjithshme për procesin e miratimit të Ligjit për Vodnon sepse si përfaqësues të sektorit civil na kishim bindur nga qeveria se do të miratohet një ligj i veçantë (lex specialis) për Vodno”, thotë Tatjana Stojanovska e “E dua Vodnon”.

Stojanovska konsideron se studimi mbështetet pothuajse ekskluzivisht në Ligjin për mbrojtjen e natyrës dhe se Vodno konsiderohet vetëm nga aspekti bio-gjeografik dhe në një farë mase shoqëror, por që fakti se Vodno është mbrojtje nga erozioni për Shkupin nuk është marrë parasysh, veçanërisht duke marrë parasysh që edhe vetë studimi tregon se në rrëzë të tij ka 220,000 banorë, siç e kanë theksuar edhe ekspertët e Fakultetit të pylltarisë në Shkup.

“Fitohet përshtypja që studimi është ashtu siç është sepse ekziston qëllim që në Vodno të përfshihen përmbajtje të reja, e jo të mbrohet”, konsiderojnë nga “E dua Vodno”.

Në Mars të këtij viti, Zëvendës ministri i mjedisit jetësor Jani Makraduli njoftoi se Ligji për mbrojtjen e rajonit të Matkës dhe Ligji për mbrojtjen e pyllit park Vodno janë në fazë të përfundimtare të hartimit dhe se së shpejti ata do të hyjnë në procedurë qeveritare. Makraduli atëherë bëri të ditur se me zgjidhjet e ardhshme ligjore për Vodnon dhe Matkën do të rregullohen zonat që do të mbrohen rreptë këto zona, përkatësisht se “do të ketë zona të mbrojtura ku nuk do të mund të bëhet asgjë, ndërsa në të tjera do të mund të intervenohet për rekreacion dhe objekte”. Kjo deklaratë e Makraduli është në kundërshtim me atë që thuhet në studimin e rivlerësimit të Vodnos sepse aty nuk parashihet mbrojtje me të cilën Vodno të kishte zona të mbrojtura ku nuk do të bëhet asgjë.

Shtatë muaj më vonë, duket se ligji i paralajmëruar për Vodnon as që ka filluar të shkruhet pasi ende nuk ka përfunduar debati publik për Studimin e rivlerësimit të pyllit park Vodno. “Meta.mk” disa herë ka bërë përpjekje për të kontaktuar zëvendës ministrin e mjedisit jetësor  për të marrë përgjigje për atë se kur pritet që Qeveria të përmbushë detyrimin e Ligjit për “lex specialis” për Vodno, i cili ishte premtuar në negociatat me aktivistët civilë që verën e kaluar i bllokuan ekskavatorët për tubacionin e gazsjellësit, por kërkesat u injoruan.

Nga qyteti i Shkupit, i cili së bashku me UNDP është zhvilluesi i studimit për rivlerësimin e Vodnos, kanë dhënë një përgjigje të përgjithshme se aktualisht janë duke i shqyrtuar vërejtjet dhe komentet e studimit që janë paraqitur në qytet dhe pas kësaj do të mbahet një punëtori për të dhënë arsyetimet për pranimin ose mospranimin e çdo vërejtjeje veç e veç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button