Rezarta Shkurta: Si e përjetoj ndarjen

Një këngë e ndier për një dashuri pa fat. Kjo është ajo çka na propozon Rezarta Shkurta në këtë edicion të “Këngës Magjike”. “Më fal” me kompozim të Elgit Dodës dhe tekst të Arben Dukës, bëri për vete kryesisht njerëzit melankonikë, por Rezarta beson se njerëz të ngurtë nuk ka, kështu që baladat arrijnë të prekin zemrat e gjithkujt. 

Por prezantimi i saj befasoi edhe për veshjen, një ide e “Geraldina Sposa”. 

Ja çfarë na rrëfen ajo për ndarjet në çift dhe kur thotë në jetën e saj reale “Më fal”.

Një këngë prekëse me titull “Më fal”. Pse kjo fabul?

Sepse unë jam e orientuar drejt këngëve që përcjellin një mesazh, sepse besoj se nuk ka njeri që të paktën një herë në jetë të mos ketë thënë “Më fal” dhe sepse baladat janë të preferuarat e mia. E vështirë që në një këngë ritmike të përcjellësh atë emocion që ta fal balada.

A ndikon gjendja jote shpirtërore kur vendos të sjellësh një krijim të ri apo gjithçka ua lë në dorë autorëve?

Ndikon shumë, madje ulem bashkë me kompozitorin dhe autorin e tekstit, i shpjegoj ndjesitë e mia të momentit dhe vetëm kështu unë do arrij ta dua atë këngë që do këndoj. Është e rëndësishme që atë krijim ta duam ne në fillm, më pas edhe publiku. Kështu përcillen më mirë emocionet. Ja t’ju rrëfej një histori, në këngën që realizuam në duet me Vedat Ademin. Ne kemi ndërruar shtatë tekstshkrues, sepse fjalët nuk po arrinin të përcillnim atë që ne kërkonim. Mbas orësh të tëra punë, ne arritëm të realizonim atë që dëshironim.

Duket se kënga mund të preferohet nga njerëzit e ndjeshëm, e beson se ka shumë të tillë?

Unë besoj se çdo njeri është i ndjeshëm, madje edhe ata njerëz që duken të ngurtë, thjesht janë për së jashtmi të tillë. Ashtu siç besoj, se nuk ka njeri që nuk dashuron.

Në këngë thua që “U ndamë dhe ishte faji im”, çfarë faji mund ta çojë një çift drejt ndarjes?

Le të fillojmë që nga gjërat e vogla e deri tek ato substanciale, si mospërputhja e karaktereve. Kam dëgjuar që njerëzit janë ndarë edhe për gjëra absurde, por përsëri besoj se ajo gjëja absurde ka qenë thjesht pika që ka derdhur gotën.

Ti je prej kaq vitesh e martuar, një nga frikërat e tua a është edhe rreziku i ndarjes?


Gota ime është ende bosh, falë Zotit.

Si do ta përjetoje mungesën e një njeriu të dashur?

Unë jam shumë tragjike si natyrë, prekem shumë edhe për gjërat më të vogla. Uroj që të mos e përjetoj asnjëherë, sepse e di se do vuaja shumë.

Në këngë ti thua “Nuk e kuptoj pse u deshëm, pse u ndamë”, në fakt i jep dot një përgjigje pse një çift që duhet, më pas ndahet?

Pikërisht në këto lloj çiftesh është dhe probabiliteti më i lartë i rriskut për t’u ndarë. Sepse aty ku ka më shumë ndjenjë, ndjeshmëria edhe për gjërat më të vogla, është më e lartë.

A beson se njerëzit meritojnë një shans të dytë, jo vetëm në çift, por në çdo marrëdhënie?

Meritojnë jo vetëm të dytin, por edhe të tretin dhe të katërtin. Asnjëri prej nesh nuk është shenjtor, dhe si të tillë kemi të drejtë të falim e të falemi.

Rezarta: Kur unë them më fal

Po japim disa alternativa për të kuptuar më shumë nga bota shpirtërore e Rezartës. 

Më poshtë janë disa situata kur njerëzit thonë më fal. Po Rezarta?

– Më fal që nuk të them më shpesh të dua!

Nuk është rasti im, sepse unë them “të dua” më shpesh seç duhet.

– Pa miqësinë tënde është si të ecësh në errësirë. Tani e kuptoj se sa po vuaj. Më fal!
Po, këtë rast e kam përjetuar, është e vërtetë se kur humbet një mike të mirë, humbet shumë nga vetja, pavarësisht se kush e ka pasur fajin. Ka njerëz që i do pa kushte, me të mirat dhe të këqijat e tyre.

– Jeta është shumë e shkurtër për të urryer dikë, prandaj të kërkoj falje!

Nëse ka shkuar puna deri tek urrejtja, atëherë do më duhet të mendohem nëse ia vlen të kërkoj falje, sepse mbase jeta mund të jetë më e bukur pa atë njeri pranë. Megjithatë askush nuk besoj se pretendon që ta duan të gjithë dhe të duhet prej të gjithëve.
– Nëse të kam zhgënjyer më vjen keq, nëse të kam lënduar më fal, nëse të them që të dua fort, më beso!

Nëse me të vërtetë kam zhgënjyer apo lënduar dikë, qoftë edhe në përqindje të vogël, të them “më fal” është gjëja më e mirë që mund të bëj.

– E kam të vështirë të them më fal, më të lehtë e kam të të them të dua!

E kam shumë të lehtë të them “të dua”, nëse vërtet dua dhe e kam shumë të lehtë të them “më fal” nëse e ndiej që kam faj. Por asnjërën nga këto nuk do t’i thosha, nëse nuk do i ndieja.

– Më fal që jam kaq xheloze!

Xhelozia është dyshim, dhe për sa kohë nuk dyshoj, nuk kam pse të jem xheloze.

– Më fal, sepse të dua ty më shumë se krenarinë time.

Nëse “më fal” thuhet aty ku unë kam bërë gabim apo faj, krenaria nuk ka vend. Përkundrazi, në këtë rast nuk ke bërë gjë tjetër veçse një gjest dashurie për tjetrin, por edhe për veten.

– Të kërkoj falje për të gjitha defektet e mia!

E them shpesh.

– Më fal që jam egoiste!

Nuk e di si u ndodh të tjerëve, por unë sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë egoizmi po ia lë vendin altruizmit. Kur bashkëshorti im Ermali ndihet mirë, edhe unë ndihem mirë gjithashtu dhe anasjelltas.

– Më fal që të bëra të biesh në dashuri me mua!

Jo, unë e them ndryshe, falë Zotit që re në dashuri me mua.

– Më fal që të dua kaq shumë!


Unë fal shumë dashuri për njerëzit e mi të zemrës, po shumë fare. Deri më sot nuk më rezulton askush i bezdisur nga kjo ndjenjë.

– “Rozana Radi më fal”, do e thuash ndonjëherë?

Seriozisht e ke?/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button