Largpërçuesi i ri, Tetova nuk do të ketë më problem me rrymën?

Sot u lëshua në përdorim largpërçuesi prej 110 kilovati i cili e furnizon Tetovën dhe rrethin e saj me energji elektrike nga TEC Osllomej dhe HEC Vrutok. Tetë kilometrat e reja të largpërçuesit pritet që në mënyrë afatgjate të adresojnë nevojat për furnizimin elektrik të Tetovës dhe vendeve përreth, premtuan kështu dy ministrat, ai për çështje Ekonomike Vlladimir Peshevski dhe ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini të cilët ishin prezent në këtë eveniment.

“Bëhet fjalë për rikonstruimin e parë të largpërçuesit prej 110 kilovat që është në funksion pothuajse 60 vjet. Deri më tani kanë përfunduar 16 kilometra nga traseja e re dhe sipas paralajmërimeve largpërçuesi në tërësi do të jetë gati dhe do të vendoset në funksion deri nga mesi i vitit 2013”, tha  ministri i ekonomisë Valon Saraçini.

“Punimet në këtë largpërçues janë pjesë e zbatimit të strategjisë për zhvillimin e energjetikës në Maqedoni. Ajo që është karakteristike është ajo që punimet ndërtimore i kryen EMO nga Ohri dhe kjo bëhet me cilësinë më të lartë” deklaroi zëvendëskryeministri Peshevski.

Gjatësia e përgjithshme e këtij largpërçuesi dysistemor është 33 kilometra, do të vendosen gjithsej 133 shtylla të çelikta me grilla, ndërsa vlera investuese e projektit është 3 milionë euro.

Pollogu është një ndër rajonet që shpenzon shumë energji elektrike në Maqedoni, ndërsa njëherësh edhe rajon me vjetërsinë më të madhe mesatare të përçuesve nga rrjeti përçues me të cilin operon MEPSO. Me këto investime vlera e së cilave tejkalon 11,8 milionë euro, SHA MEPSO mëton të sigurojë në afat të gjatë dhe në mënyrë të vazhdueshme furnizim me energjinë elektrike dhe stabilitet të sistemit elektroenergjetik për Tetovën dhe rrethinën e saj. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button