Yvon: Maqedonia të bëjë më shumë për fqinjët

Maqedonia duhet të përmirësojë aq sa mundet marrëdhëniet me fqinjët. Kështu shprehet ambasadori i Britanisë së Madhe, Christopher Yvon në intervistën javore për Radio Evropa e Lirë.

“Vendi juaj duhet të shfrytëzojë format konstruktive dhe pozitive për ta bërë këtë, duke i dhënë një tjetër tipar aktivitetit diplomatik në të ardhmen. Raporti i Progresit të Komisionit Evropian ishte pozitiv sepse përmend sferat ku është bërë përparimi domethënës” shprehet Yvon.

Sa i përket çështjes së emrit, gjetja e zgjidhjes është dhe do jetë e rëndësisë vitale, thekson ai.

“Ka karakteristika të caktuara të cilat në strategjinë e sivjetme janë ndryshe. Në këtë moment, është e pamundur të thuhet se ç’rezultate do të arrihet, për shkak se Britania e Madhe po i studion më vëmendje detajet e raportit dhe jam i sigurt se edhe shtetet e tjera anëtare po e bëjnë këtë”, thotë Yvon.

I pyetur lidhur me incidentet nëpër autobusë, dhe shkallën e mirëbesimit etnik, diplomati britanik ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit është dokument i gjallë që dëshmon se ky procesi vazhdon tutje.

“Edhe unë vij nga një vend (Irlanda Veriore) ku kishte probleme mes bashkësive etnike, të cilave u duhej një kohë e gjatë të ndërtonin mirëbesimin ndëretnik. Mendoj se në 11 vitet e kaluara, nga viti 2001, ky udhëtim zgjatë dhe është vështirë nëse ky projekt do të mbarojë ndonjëherë. Mendoj se nuk është e lehtë, për shkak se njerëzit janë të ndjeshëm. Kur flas me ta, ata kanë ndjenja tjetërfare dhe janë më të ndjeshëm ndaj ngjarjeve të vitit 2001. Por, është e saktë se pas vitit 2001 kemi paqe në Maqedoni, dhe kemi përparim të madh në sferat siç është decentralizimi, kurse jam i sigurt se njerëzit do të thonë se duhet bërët edhe më. Megjithatë, mendoj se është i nevojshëm përkushtim i vazhdueshëm dhe obligim ndaj marrëdhënieve ndëretnike, që ky proces të lëvizë përpara”, është shprehur ambasadori i Britanisë Christopher Yvon.

Lajme të ngjashme

Back to top button