Vjosa Osmani u zotua për rritje të pensioneve dhe krijimin e Fondit Pensional

Kadidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, është zotuar se nëse është në qeveri barnat për pensionistë do të jenë falas, ndërsa do të ketë reformë në sistemin pensional të Kosovës.

Gjatë një bashkëbisedime me pensionistët në Prishtinë, Osmani tha se në qeverinë e saj investimet buxhetore do të kthehen në një investim për njerëzit e Kosovës, ku përfshihen edhe pensionistët.

“Nga 6 tetori e tutje, qeveria jonë do të ketë një qasje ndryshe të asaj se si udhëhiqet ky shtet. Do ta shndërrojmë ose do ta kthejmë investimin buxhetor, nga një investim që deri sot ka qenë vetëm në asfalt, në një investim në njerëzit tanë dhe kjo rrjedhimisht kërkon që buxheti kryesisht të shkoj në shëndetësi, në arsim por edhe tek kategoritë siç janë pensionistët”, tha nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Ajo tha se kanë paraparë, jo vetëm rritje të pensioneve, por edhe uljen e pragut prej 15 vjet që kërkohet për pensionistët kontributdhënës.

Planin e LDK-së për kategoritë sociale, e prezantoi Sekretari Organizativ i LDK-së, Arban Abrashi, transmeton Klan Kosova.

“Tek mbrojtja sociale ne synojmë me bë një numër të veprimeve që mbrojnë më mirë secilin pensionist, duke përfshirë pensionet kontributdhënëse dhe pensionet e pleqërisë. Ne synojmë që këtë pragun prej 15 vitesh me e largu dhe varësisht prej kontributit sa ka pas një pensionist edhe me e marrë pagesën në formë të përshkallëzuar. Varësisht nga vitet e kontributit do të jetë edhe lartësia e pensionit”, tha Abrashi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button