RMV, 14 kompani sot morën certifikatë për përmbushjen e standardeve “Hallall”
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) sot janë ndarë certifikatat për përmbushjen e standardeve “Hallall” për 14 kompani, njofton Portalb.mk.
Në ceremoninë e ndarjes, për të cilën u kujdes Agjencisë për implementimin e standardit “Hallall” në RMV, me drejtor Muamer Veseli, mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi theksoi se, ndarja e certifikatave për kompanitë që zbatojnë standardin HALLALL, për të cilat për shtatë vjet rresht Ministria e Ekonomisë ndan subvencione, paraqet një lloj konfirmimi për përmirësimin e konkurrencës së kompanive dhe “karton të gjelbër” gjatë sigurimit të plasmanit në tregjet e reja.
“Edhe këtë vit, Ministria e Ekonomisë vazhdoi mbështetjen e kompanive për certifikimin e standardit HALLALL dhe për këtë qëllim siguroi mjete në shumën totale prej 2.000.000 denarë. Mjetet kanë për qëllim të subvencionojnë 60% të shpenzimeve të dëshmuara të certifikimit të sistemit HALLALL, por jo më shumë se 200,000 denarë për aplikues”, tha Bekteshi.
Ministri i ftoi të gjitha kompanitë dhe subjektet afariste që duan të rrisin eksportin dhe tregun e tyre dhe të hyjnë në tregjet e treta, por edhe t’i përmirësojnë shërbimet e tyre për turistët, të aplikojnë dhe përdorin mjetet që Ministria e Ekonomisë i jep për çdo vit.
I pranishëm në ceremoni, ishte edhe kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi i cili i përgëzoi kompanitë për marrjen e certifikatave të dhëna me këtë rast.