(Pa)drejtësia e gjyqësorit në Maqedoni të ndjell frikën

Nëse përballesh me ndonjë proces gjyqësor në Maqedoni, duhet të jesh shumë i brengosur për verdiktin, posaçërisht nëse nuk njeh “dikë”  apo ndonjë politikan.  Arsyeja është e qartë, sistemi i drejtësisë në vend vuan nga selektiviteti dhe është tejet i influencuar nga politika. Këtë, përpos që e vërejnë qytetarët, rasti i gjykimit “Monstra” apo ai i vrasjes së dy të rinjve në Gostivar, ai i Ljube Boshkovskit, mos të lëmë anash dhe gjykimin për Martin Neshkovskin, e theksojnë dhe raportet ndërkombëtare por dhe ekspertët.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian përkundër elozheve pozitive për përmirësimin e kornizës ligjore vë në pah vërejtjet serioze për gjyqësi selektive, të varur nga politika. KE rekomandon që korniza ligjore të zbatohet drejtë edhe në praktikë.

“Përparim i vogël është bërë për sa i përket pavarësisë dhe paanshmërisë të gjyqësorit. Edhe pse mekanizmat bazë janë të vendosura, duke përfshirë edhe rolin dhe kompozimin e Këshillit Gjyqësor, përpjekje më të mëdha nevojiten në praktikë që të garantohet pavarësia, vendimmarrja kualitative nga gjyqet” – thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.

Në Raport është përmendur rasti i arrestimit të Ljube Boshkovskit një ditë pas zgjedhjeve dhe dënimi i tij me pesë vite burg, duke potencuar se ky rast ka ngritur pyetjen e zbatimit selektiv të drejtësisë.
 
“Gjykatat dhe gjyqësori janë një plagë e vjetër, e cila bartet nga viti në vit. Ndryshime radikale në këtë sferë vështirë se edhe mund të priten për shkak se bëhet fjalë për një sektor mjaft të ndejshëm për interesa të cilat lidhen nga të gjitha anët dhe ndryshimet radikale janë të vështira” – thotë eksperti juridik Naser Zyberi.

Sipas tij, edhe përkundër përmirësimit të infrastrukturës ligjore, gjë që e ka vlerësuar edhe vetë Komisioni Evropian mbeten problemet në praktikë, gjegjësisht ndikimi i politikës në gjyqësor.

“Ky Raport në fakt bën një vlerësim pozitiv në kuptim të ndryshimit të disa ligjeve, por sa i përket infrastrukturës ligjore, asaj që është segment normative i Raportit, ndërsa në funksionimin e vetë gjyqësorit mbeten vërejtjet se gjyqësori edhe më tutje mbetet në një fare mënyre i varur prej politikës, ndikimi i politikës nuk është përjashtuar, dhe si rezultat i asaj që nuk u bë ndryshimi i ligjit për Këshillin Gjyqësor, ligjit për Këshillin e Prokurorëve ku pozita e Ministrit të Drejtësisë duhet të rregullohet respektivisht pjesëmarrja e tij në këto organe të përjashtohet. Por nuk është vetëm kjo, ndikimi i politikës, sidomos i ekzekutivit në gjyqësor është konstatim permanent i Komisionit Evropian” – thotë Zyberi.

Juristi tjetër, Osman Kadriu vlerëson se selektiviteti i gjyqësorit sidomos vjen në shprehje në lëndët penalo juridike. Por përveç qasjes selektive dhe ndikimit politik te gjyqet, ai gjithashtu potencon mungesën e efikasitet dhe vendimeve kualitative.

“Nuk ka efikasitet, nuk ka vendime kualitative, dhe sidomos kur flitet dhe kur punohet për lëmi penalo-juridike dhe për ndjekjen e veprave penale hasim në raste konkrete kur vlerësohet se gjyqësori në mënyrë selektive bën gjykimin. Në mënyrë selektive bëhet edhe ndjekja penale nga ana e organeve për ndjekje penale si policia dhe prokuroria. Kjo mandej vazhdon edhe te gjyqësori” – shpjegon Kadriu.  

Në Raport gjithashtu nënvizohet mungesa e zgjidhjes së rasteve me ndërmjetësim edhe përkundër fushatave të ndryshme, gjë që rëndon sistemin dhe ngadalëson efikasitetin e gjyqësorit./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button