Paratë e qytetarëve i “falen” hekurudhave që rrezikojnë jetën e tyre

Në Kuvend po diskutohet për faljen e borxheve të ndërmarrjes publike Hekurudhat e Maqedonisë “Infrastruktura” Shkup, përmes shndërrimit të kërkesave në depozitë. Opozita akuzon se tani më është bërë praktikë që tu falet borxhi kompanive publike.

“Është bërë praktikë që në mënyrë permanente kompanitë me interes publik që ende janë të pa privatizuara në Republikën e Maqedonisë shteti tua fal borxhet në emër të tatimit në fitim, tatimit personal, dhe në emër të ngarkesave me borxhe që bëjnë ata në institucionet ndërkombëtare” – thotë Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Ai gjithashtu pyet se pse ky institucion, me të cilin udhëheq kuadër i BDI-së, nuk investon në përmirësimin e infrastrukturës, edhe përkundër incidenteve të ndryshme që ndodhin për çdo ditë në hekurudha, dhe pse asnjë deputet i BDI-së nuk u përgjigjet akuzave të deputetes së LSDM-së Tanja Tomiq e cila tha se kjo ndërmarrje shet binarët funksional si hekur i vjetër në hedhurinat në Kosovë.

Nga ana tjetër, deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu theksoi se keqmenaxhimi i kësaj ndërmarrjeje e ka sjellë atë në gjendje që të mos mund ti shlyej detyrimet e saja as ndaj punëtorëve të vet, as ndaj shtetit.

“Pa pasur asnjë strategji për investime në infrastrukturën hekurudhore, me këtë Propozim Ligj vetëm se e verifikojmë dështimin që ka pasur kjo Qeveri në sistemin hekurudhor, dhe me qenë se askush nuk bart përgjegjësi për keqmenaxhimin e deritanishëm me hekurudhat që e kanë sjellur deri në atë shkallë sa që nuk mund të shlyej detyrimet e saj që ka kjo ndërmarrje ndaj shtetit apo kreditorëve të ndryshëm dhe më e rëndësishme, që ka detyrime ndaj vetë punëtorëve të saj me këtë Propozim Ligj ne vetëm që do të mundësojmë që edhe në të ardhmen edhe më keq, edhe më shumë që kjo ndërmarrje të mos mund ti shlyej detyrimet e saj” – thotë Fazliu.

Në mbrojtje të Drejtorit të kësaj ndërmarrjeje publike, Irfan Asanit doli deputeti i BDI-së Behixhudin Shehabi, i cili kërkoi që qasja të jetë më analitike dhe të mos dezinformohet opinion.

“Ekspozimi i mllefit ndaj z. Irfanit para se gjithash nuk është etike dhe nga ana tjetër edhe njëherë dezinformohet opinioni për shumë çështje që në fakt nuk janë ashtu siç u tha këtu. Unë kërkoj edhe njëherë nga ana juaj një qasje pak më analitike sa i përket punës së Drejtorit të ndërmarrjes, kërkoj edhe njëherë që të analizoni disa argumente dhe fakte për këtë ndërmarrje, të dilni në foltore me fuqinë e argumenteve ta shprehni revoltin tuaj” – tha Shehabi.

Kompania “Infrastruktura” Shkup si pjesë e Hekurudhave të Maqedonisë ka të punësuar 1.485 punëtorë, ndërsa vitin e fundit e ka mbyllur me humbje prej 510 milion denarësh./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button