Rruga “101” nuk do jetë më ankth i banorëve të Gostivarit

Rruga e re e projektuar “101” e cila do të jetë një ndër unazat kryesore të çlirimit të trafikut në qytetin e Gostivarit, sot fitoi shtresën e parë të asfaltit. Kjo rrugë me gjatësi prej rreth 500 metrash dhe gjerësi prej 11 metrash, është pjesë e rrugës qarkore të paraparë me Planin gjeneral urbanistik të qytetit dhe që mëton në masë të madhe të shkarkojë trafikun e mbingarkuar në pjesën qendrore.

Punët nga afër i përcolli kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

“Me këtë investim do të zgjidhet një nga problemet më thelbësore të qytetit të Gostivarit në përgjithësi, e në veçanti do të përmirësojë kushtet e jetesës dhe zhvillimit të biznesit për banorët e kësaj lagje të qytetit”, nënvizoi Osmani.

Ai njëherazi, krahas projekteve që janë në realizim, paralajmëroi edhe fillimin e punëve në projekte të tjera kapitale në Gostivar si që janë rregullimi i rrugës te objekti komunal, ndërtimi i vazhdimit të shëtitores te lumi Vardar dhe tjera.

“Nesër do të fillojnë punët për ndërtimin e trotuareve në rrugën rajonale Forinë – Çegran, pastaj ndërtimi i një rruge në fshatin Debresh si dhe projekte të tjera me interes  për qytetarët e Gostivarit”, nënvizoi Osmani.

Ndërtimi i rrugës “101” ka qenë një sfidë për më shumë se 15 vjet, për shkak të çështjeve pronësore juridike dhe nevojës për eksproprijim të tokës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button