Millçin: në Maqedoni është rrezik të jesh minoritet

Të jesh pakicë e cilitdo lloj në Maqedoni sot është e rrezikshme dhe jo e shëndetshme. Pushteti nuk e fsheh forcën dhe shpesh e vë në përdorim atë. Kështu shprehet profesori Vlladimir Millçin,regjisori i cili është njeriu i parë i Fondacionit Shoqëria e Hapur Maqedoni, në një intervistë për portalin AKTIV.

AKTIV: Kritikët e pushtetit e akuzojnë pikërisht atë pushtet për pasivitetin e sektorit civil dhe mosaktivitetin e qytetarisë. Si argumente vihen në dukje kundër – protestat që po organizohen në vitet e fundit, ose etiketimi dhe stigmatizimi edhe i organizatave edhe i individëve – aktivistë që janë kritikët më të zëshëm të pushtetit. Sipas këtyre kritikëve, pikërisht kjo mënyrë veprimi krijon frikë dhe pasivitet te qytetarët. Cili është vlerësimi juaj?

Millçin: Do të përgjigjem nga përvoja personale. Edhe kur isha prezent, edhe kur nuk isha, propagandistë dhe funksionarë të lartë të partisë dominuese në koalicionin qeverisës më etiketonin se „qëndroj prapa protestave“ (në shesh, në protestat kundër brutalitetit policor, bile edhe në protestat e “AMAN-it”). Jo që ata iu besonin gënjeshtrave të veta, ata e kishin shumë të qartë se ku merrja dhe ku s’merrja pjesë unë, por kishin nevojë që me gënjeshtra të krijonin „kordon sanitar“ rreth të rinjve. Por, përpjekja e pushtetit për të ma marrë të drejtën themelore civile që të protestoj nuk do të më prekte po qe se edhe disa aktivistë të rinj nuk e kapërdinin karremin e pushtetit dhe nuk e pranonin stigmatizimin e „sorosoidëve“. Dhe, nuk isha unë i vetmi që rrija anash protestave kundër brutalitetit policor, “Bashkë për paqe” dhe “Aman”. Di shumë veta të cilët, për të njëjtën arsye, nuk iu bashkuan ose e ndërprenë pjesëmarrjen në protesta. Kështu, pushteti dhe megafonat e tij kaluan në fazën e dytë të neutralizimit të protestave civile: organizata huazi – joqeveritare dhe kundër – protesta, udhëheqës të të cilave belbëzonin duke lexuar tekstet që s’i kishin shkruar. I akuzojnë organizatat civile për opozitarë të maskuar dhe “sorosoidë”, e pa turp dhe pa perde dërgojnë në kundër – protesta të punësuar në administratën publike! Sektarizmi i disa aktivistëve ua lehtësoi punën. Duke u distancuar prej gjithçkaje dhe prej kujtdo, pak nga pak i përzunë bashkëmendimtarët.  

AKTIV: A mund të flasim për frikë, për letargji apo për mosinteresim, apo për pavetëdije dhe për padituri? Përse nuk po shohim organizim dhe aksion më intensiv të qytetarëve për t’i realizuar të drejtat dhe interesat e tyre? A mos është forma e organizimit të qytetarëve përmes partive politike aq dominante në shoqërinë tonë, kështu që për format tjera të organizimit ka hapësirë fort të vogël?

Millçin: Pa dyshim që jetojmë në shoqëri të partizuar. Qytetarët e kuptuan se anëtarësimi në partinë që është në pushtet siguron punë dhe karrierë në shoqërinë tonë të varfër. Mendoj se kjo është rezultat edhe i konvertizmit me shtrirje të gjerë, përkatësisht kalimi nga njëra parti në tjetrën, varësisht prej asaj se cila parti është në pushtet. Qytetarët mësuan se fituesi merr gjithçka, e ky që tani është në pushtet këtë e bën me plan dhe pamëshirshëm. Të jesh pakicë e cilitdo lloj në Maqedoni sot është e rrezikshme dhe jo e shëndetshme. Pushteti nuk e fsheh forcën dhe shpesh e vë në përdorim atë. Që në vitin e largët 1978 Vacllav Havel ka dhënë një definicion për regjimet e tilla: „Individët s’e kanë patjetër t’u besojnë të gjitha mistifikimeve (të pushtetit), por ata e kanë patjetër që të sillen kurse iu besojnë, ose në instancë të fundit duhet t’i tolerojnë duke heshtur“. Në librin e tij „Fuqia e të pafuqishmëve“ shoqëritë e tilla Haveli i definon si post-totalitare.

AKTIV: Si e vlerësoni rolin e mediave në këtë kontekst?
Millçin: Me vite mediat refuzonin të pranonin se edhe vendi i tyre është në shoqërinë civile. Ndiheshin komode dhe të sigurta në “lidhjet bashkëshortore” jo të shëndosha me politikën dhe biznesin. Pronarët i përdornin mediat e tyre si instrumente për realizimin e interesave të tyre, e ato nuk ishin liria e informimit, edhe më pak e vërteta. Pranimin e instrumentalizimit të këtillë gazetarët e paguan shtrenjtë. Kuptohet, ata që u gjendën në “anën e gabuar” kur pushteti vendosi të heshtte me të gjitha mjetet mediat që e kritikonin. Sot në hapësirën mediatike dominojnë mediat që janë vetëm megafona të pushtetit dhe përdorshmërinë e të cilave pushteti e mat sipas arrogancës së tyre me të cilat i dhunojnë faktet. Ato tjerat, që janë shumë më pak në numër, nga dita në ditë luftojnë për të mbijetuar. Po të mos jenë ato, gënjeshtra si një re e errët do ta mbulojë Maqedoninë.

Intervista e plotë gjendet në portalin AKTIV.

Lajme të ngjashme

Back to top button